Kush gaboi që rreth 50 punonjësit mbetën pa paga?! Ministrja gishtin e drejton kah drejtori i klinikës, ai përgënjeshtron

TË FUNDIT

E pyetur se pse Ministria e Financave ka dhënë përgjigje negative për rreth 50 punonjës në Klinikën e Fëmijëve, të cilët pohojnë se nga janari nuk kanë marrë paga dhe janë pa status të rregulluar, ministrja Gordana Dimitrievska-Koçoska tha se të dhënat rreth kësaj çështjeje nuk janë dhënë të sakta. Sipas saj, vitin e kaluar, kur janë kërkuar pëlqime për kontrata mbi vepër, në të njëjtën kohë është dhënë pëlqim edhe për punësimin e 38 personave me kohë të pacaktuar. Pra, sipas saj, Ministria nuk ka refuzuar pëlqime për mjekë dhe personel mjekësor.

“Gjithashtu e kam patjetër ta them, se ja kam qenë tolerante thuajse një muaj, se kur flitet për pëlqimet për punësime, nuk është fjala për mjekë dhe personal mjekësor. E këtë, nëse e pyesni drejtorin, le t’i nxjerrë pëlqimet ta shohim nëse nga Ministria e Financave deri më tani është refuzuar për mjekë. Mjekë dhe personel mjekësor madje kanë marrë avancime vitin e fundit”, tha Gordana Dimitrievska-Koçoska.

E sipas ministres, për personelin teknik, punësimet duhet të bëhen sipas mundësisë financiare që ka institucioni, duke ia hedhur kështu fajin drejtorit të klinikës.

Pyetje gazetare: A duhej që për këtë rast të kalojë gjysmë viti, që punonjësit të dalin në protestë, se rreth 50 njerëz punojnë pa para…e drejtori thotë se ata janë të domosdoshëm për funksion normal…

“Mendoj se kjo pyetje duhet të përgjigjet nga drejtori i spitalit dhe si ata njerëz kanë ardhur në punë, ndërsa nuk kanë pasur kontrata. Unë nuk njoh dikë të tillë që shkon në punë pa kontratë. Pyeteni drejtorin, ai duhet t’ju përgjigjet kësaj pyetjeje”, tha Gordana Dimitrievska-Koçoska.

Po drejtori i Klinikës, Rexhep Memedi, në një përgjigje për TV21, tha se institucioni ka planifikuar buxhet për punësime dhe angazhime me kontratë në vepër, ndërsa Ministria e Financave vitin e kaluar ka dhënë pëlqime për këto angazhime në bazë të kërkesës së klinikës. Sipas tij, me të njëjtin planifikim buxhetor Ministria në vitin 2025 i dha Klinikës pëlqime për angazhim të punëtorëve me kontratë në vepër, në bazë të kërkesës së Klinikës. Në dhjetor 2025, sipas Memedit, bashkë me kërkesën për vazhdimin e këtyre pëlqimeve për vitin 2026 Klinika ka dorëzuar edhe tabelën adekuate – formular ku është shënuar saktë buxheti i duhur për këto punësime dhe buxheti të cilin Klinika e posedon për pagesën e rrogave.

“Me 22 prill 2026 Klinika e fëmijëve ka pranuar përgjigjen zyrtare negative lidhur me kërkesën e dërguar në dhjetor 2025 për vazhdimin e pëlqimeve për punëtorët me kontrata. Nga ajo ditë punëtorët janë informuar se nuk do të kenë kontrata për shkak se nuk ka pëlqime nga Ministria e Financave, dhe ata nuk vijnë në punë. Mungesa e këtyre punëtorëve na vështirëson seriozisht punën në Klinikë”, deklaroi Rexhep Memedi.

Memedi po ashtu sqaroi se nga 50 punonjësit që ishin me kontrata, 23 janë personel mjekësor – 18 infermiere, 4 laborantë dhe 1 biolog, dhe tjerët administratorë dhe personel teknik.