Kush e vendosi tabelën në Bllacë? Rustemi mohon: Nga 2 korriku unë nuk jam më drejtor

TË FUNDIT

Ish drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugë Shtetërore” Ejup Rustemi, mohon të ketë gisht në vendosjen e tabelës pa gjuhën shqipe afër kufirit në Bllacë. Rustemi thotë se ai nuk është më drejtor që nga 2 korriku i këtij viti dhe kështu që nuk mund të jep urdhëresa të tilla. Madje Rustemi shprehet se udhëheqësia e tanishme e kësaj ndërmarrje e ka anuluar procedurën për ndërrimin e të gjitha tabelave informuese nëpër autostrada, të cilat duheshte të vendosen në përputhje me ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Unë kam dhënë urdhër që sinjalistika të respektohet në zbatimin e gjuhës shqipe.
Dhe ai urdhër është ndërprerë..
Unë nuk jam brenda në ndërmarrjen publike. Unë nga dy korriku nuk jam në Ndërmarrjen për Rrugë Shtetërore. Ndërmarrja “Rrugë Shtetërore” ka menaxhment tjetër, ai menaxhment tjetër menaxhon me të gjitha projektet. Tabela është vendosur tash shpejt, nga ajo që kam parë dhe informuar në media dhe nuk është vendosur kur kam qenë unë. Nuk mund të jap urdhër unë para dy muaj e gjysmë dhe pas dy muaj e gjysmë të vendoset urdhëri im”, deklaroi në Daily Click Ejup Rustemi – ish-drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.

Kjo përgjigje e Rustemit erdhi pas akuzave të përfaqësuesve të koalicionit VLEN, se vendosja e tabelës në Bllacë është pikërisht akt i tij.

“Me sa kam informata ajo tabelë është ndryshuar me urdhër të ekipit të ish drejtorit të ndërmarrjes “Rrugë Shtetërore” kështu që u zbardh komplet ajo. Kështu tabela ka me qindra në Maqedoni”, deklaroi Arben Taravari – ministër i Shëndetësisë – VLEN.

“Ajo tabelë është vendosur aty në bazë të atyre 2 km që u stërgjatën atje. Në bazë të projektit që e ka udhëhequr Ejup Rustemi mirëpo ne reaguam në mënyrë institucionale dhe brenda natës u përmirësua gabimi i atyre që kanë bërë vite me radhë gabime të këtilla”, potencoi zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.

Nga koalicioni VLEN njoftuan se zv.drejtori i ndërmarrjes “Rrugë Shtetërore” Nazim Taipi, do të kryejë hetim të brendshëm për rastin konkret, për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo provokim i qëllimshëm me prapavijë politike. Megjithatë, deri më tani nga ndërmarrja në fjalë nuk ka informacione të tilla, e as nga koalicioni VLEN.