Sipas informacioneve të TV21, gjithsej pesë kandidatë kanë aplikuar në konkursin për zgjedhjen e shefit të Prokurorisë së Lartë Publike. Bëhet fjalë për Artan Ajro, Fatime Fetai, Engjëllushe Kadriu Lleshi, Teuta Bediu Ramadani dhe Jasmina Kosteska Zdraveska.
Afati për dorëzimin e aplikimeve ka përfunduar javën e kaluar, ndërsa vendimin përfundimtar për zgjedhjen do ta marrë Këshilli i Prokurorëve Publikë.
Aktualisht, funksionin e ushtrueses së detyrës së shefit të Prokurorisë së Lartë Publike e mban Natasha Krstevska Çaleva, e cila u emërua disa muaj pas suspendimit të ish-shefit afatgjatë të kësaj prokurorie, Mustafa Hajrullahi.
Edhe më herët, procesi i zgjedhjes së shefit të ri nuk ka dhënë rezultat. Në seancën e 40-të të Këshillit të Prokurorëve Publikë, asnjë nga kandidatët e atëhershëm nuk arriti të sigurojë numrin e nevojshëm të votave për t’u zgjedhur.
Tani pritet që Këshilli i Prokurorëve Publikë të vendosë sërish për kandidatët dhe të zgjedhë udhëheqësin e ri të Prokurorisë së Lartë Publike.
