Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shpalosur programin qeverisës dhe listën e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 14 shkurt, përmes një lidhjeje direkte në rrjetin social Facebook.
Kurti tha se ai është bartës i listës së VV-së.
“Këshilli i VV-së më nominoi si kandidatin për kryeministër të Kosovës nga VV në këto zgjedhje. Është ndër dhe përgjegjësi ta përmbush këtë vullnet të shprehur në mënyrë demokratike. Bartës i listës jam unë, numër 2 është Vjosa Osmani, numër 3 Glauk Konjufca..”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se kryeprioritet kanë kthimin në normalitet, në rast se vihet sërish në krye të qeverisë. Ai ka thënë së pandemia COVID-19 ka shkaktuar kriza të shumta, dhe që për këtë kanë një plan të veçantë.
“Masat e veprimit të menjëhershëm do të jenë: vaksinimi i së paku 60 për qind të popullatës, sigurimit të qëndrueshëm të barnave dhe testeve, trajnimi i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, komunikim transparent dhe i dendur me qytetarë. Krejt bashkë ecim drejt 14 shkurtit, sfida është e madhe por vullneti është më i madh. Duam ta nxjerrim Kosovën nga kriza e shumëfishtë. Ka rënie në ekonomi, vende të humbura të punës, kthimi i jetës në normalitet është prioriteti i yni në vitin e parë të qeverisjes. Synojmë një ekonomi që del nga pandemia e shëruar edhe nga shumë sëmundje tjera që e kanë përcjellur deri tani”, ka thënë Kurti gjatë prezantimit.
Kurti ka folur edhe për planet në fushat e tjera ku të dytën e renditi ekonominë dhe këndelljen e saj.
Theks të veçantë do t’i kushtojë edhe grave, duke synuar punësimin dhe mbështetje aktive për ndërmarrësi, si dhe biznese ku pronare janë gratë.
