Kurti: U arrestova dhe lirova pa asgjë të shkruar – Policia: Ka qenë i njoftuar, nuk pranonte ftesat

TË FUNDIT

Pas lirimit, Kurti tha se polici i cili e ndali veturën e tij në Çagllavicë nuk prezantoi kurrfarë dokumenti.

“Ne nuk dolëm nga makina pa na dhënë urdhër arrestin, ata na nxorën me dhunë nga makina dhe na dërguan në stacionin e policisë, sikur nuk na dhanë as në stacion”…“U ndalova, u arrestova, u lirova pa asgjë të shkruar”…“Në Kosovë edhe politika është bërë policore, por edhe policia është bërë politike” – ishin thekset e prononcimit të deputetit të Vetvendosjes pas daljes nga stacioni policor sonte në Prishtinë.

Policia e Kosovës, përmes zëdhënësit të saj Baki Kelanit për KosovaPress informoi lidhur me skenarin e përcjelljes së urdhrit të Prokurorisë për paraqitje në Polici për Albin Kurtin. Sipas Kelanit, Albin Kurti ka qenë i njoftuar me ftesën e Policisë së Kosovës për t’u paraqitur në një intervistë me kërkesë të prokurorit. Kelani tha se Kurtit i është dërguar “thirrja” në shtëpinë e tij, por familjarët kishin refuzuar ta pranojnë atë.

“Më pas Policia e ka telefonuar Kurtin në numrin e tij personal për disa herë, por Kurti nuk i është përgjigjur telefonatave të Policisë. Vetëm pas telefonatave Kurti ka udhëtuar për në Maqedoni, përmes pikë kalimit kufitarë të Hanit të Elezit, nga ku i është drejtuar aeroportit të Shkupit për të fluturuar në Belgjikë”, tha Kelani për KosovaPress.

Sot, sipas policisë, pas kthimit të Kurtit nga Belgjika në Shkup, dhe me të hyrë në Kosovë, Kurti është përcjellur nga policia e Kosovës dhe është ndalur gati në hyrje të Prishtinës, kur edhe i është shqiptuar thirrja e Prokurorisë për intervistim. “Policia e ka pritur kthimin e Kurtit në Kosovë dhe e ka arrestuar atë mbrëmjen e kaluar. Me tu ndalur, Kurtit i është kumtuar gojarisht se ftohet të intervistohet nga prokurori i lëndës, dhe për këtë Kurti nuk e ka kundërshtuar e as rezistuar Policisë së Kosovës”, tha Kelani.