Kurti tregon dy ofertat që ia bëri Abdixhikut: Asnjëra nuk u pranua nga LDK

TË FUNDIT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit më kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se bisedimet kanë rezultuar të pasuksesshme, përcjell TV21. Ai ka thënë se asnjëra prej ofertave që kanë bërë nuk u është pranuar nga Abdixhiku. 

Në lidhje me: Abdixhiku pas takimit me Kurtin: S’ka marrëveshje për presidentin, nuk takohemi më

“Asnjëra prej ofertave që ne kemi bërë, nuk u pranua nga kreu LDK-së. Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët tjerë që i kemi në mazhorancën prej 66 deputetëve, ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Unë kam preferuar që zëvendëskryeministër i imi të bëhet Abdixhiku dhe në këtë mënyrë të fillojmë një kapitull të ri”, ka deklaruar Kurti.

Kurti tha se vlerëson se zgjedhjet e parakohshme janë të panevojshme dhe se të njëjtat do të kushtojnë së paku 10 milionë euro, ndërsa rezultati pritet të jetë i njëjtë, ndërsa shtoi se kur u refuzua oferta e parë, i bënë një ofertë tjetër LDK-së.

“Ne bëmë një ofertë tjetër për LDK-në. Kjo është që pozita e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarit të Kuvendit, të pësojnë një rokadë, ashtu që ose nënkryetari i LDK-së, ose dikush tjetër për të cilin përcaktohet LDK-ja, zë pozitën e kryetarit të Kuvendit, ndërkaq kryetarja aktuale e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, zonja Albulena Haxhiu do të bëhej nënkryetare e Kuvendit, aty ku tash është pozita e LDK-së. Në këtë mënyrë ne do të kishim ende qeverinë, nuk do t’i kishim zgjedhjet e panevojshme, por përveç kësaj, LDK do ta kryesonte legjislativin, do ta kishte kryetarin e Kuvendit, ndërkohë që për kandidatin tonë, Glauk Konjufcën, nuk kemi kërkuar votë “për” nga LDK, ata vetëm le të votojnë si të duan”, tha mes tjerash Kurti.