Kurti pas vizitës në Skënderaj e Mitrovicë: Ka rrezik për epidemi

TË FUNDIT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për vizitën që ka pasur në Skenderaj, komunë kjo që u godit keq nga përmbytjet e javës që po lëmë pas.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se përveç Skenderajt, vizitoi edhe Mitrovicën.

I pari i Qeverisë tha se në këto dy komuna kë dëme të konsiderueshme materiale, përfshirë infrastrukturën publike, bujeqësinë e blegtorinë.

“Nëpër muret e ndërtesave kishte ngelur lart vija e gjurmës deri ku kishte arritur përmbytja ndërkaq brigjet e deformuara të lumenjve si dhe arat rrotull janë përplot bërllog. Vërshimi në fshatin Lisicë të Mitrovicës, sipas banorëve, është pasojë e shtyrjes për afër 300 metra të rrjedhës së lumit Ibër si rezultat i ndërtimit të stadiumit në pjesën veriore të qytetit”, shkroi Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në Skënderaj dhe Mitrovicë isha sot bashkë me ministrat Mehaj e Krasniqi, dhe zëvendësministrat Gashani e Dobra. Duke ju falenderuar angazhimit dhe solidaritetit të të gjithëve me njëri-tjetrin nuk kemi jetë të humbura nga vërshimet. ]]

Ka dëme të konsiderueshme materiale: janë dëmtuar ndërtesa e infrastrukturë publike, shtëpi banimi, ferma bujqësore e biznese. Në Skënderaj janë rrënuar ose dëmtuar nëntë ura të vogla kurse në Llaushë vizituam një fermer të cilit i janë mbytur mbi 10 mijë pula.

Nëpër muret e ndërtesave kishte ngelur lart vija e gjurmës deri ku kishte arritur përmbytja ndërkaq brigjet e deformuara të lumenjve si dhe arat rrotull janë përplot bërllog.

Vërshimi në fshatin Lisicë të Mitrovicës, sipas banorëve, është pasojë e shtyrjes për afër 300 metra të rrjedhës së lumit Ibër si rezultat i ndërtimit të stadiumit në pjesën veriore të qytetit. Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe. Ka jo pak kafshë të ngordhura, andaj edhe rrezik për epidemi. Pas takimeve me kryetarët e këtyre dy komunave, Fadil Nurën dhe Bedri Hamzën, vizituam bashkë disa vendbanime të përmbytura.

Pjesëtarët e FSK-së e të policisë, zjarrfikësve dhe ndërmarrjeve publike u kanë shpërndarë ushqim, veshmbathje e batanije, barna e pako higjienike, familjeve të evakuuara. Qeveria dhe komunat po punojnë bashkë në mbështetjen e qytetarëve dhe tejkalimin e kësaj situate.