Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizatat “Mbrojtja Civile”, dhe “Brigata e Veriut”, si organizata terroriste dhe strukturat ilegale po mbyllen, shërbimet e tyre po zëvendësohen me shërbime të mira e të drejta të institucioneve të Kosovës.
Kurti në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se konfirmojnë angazhimin për drejtësi e cila është për paqe të qëndrueshme dhe pajtim në mes popujve.
“I bëjmë thirrje organeve tona të drejtësisë, prokurorisë e gjyqësorit që të jenë shumë më aktiv e të bëjnë krejt çfarë munden e dinë, në mënyrë që plagët e hapura nga krimet e kryera gjatë luftës ndaj popullit tonë të mbyllen me drejtësi për viktimat dhe për ndeshkushmëri për kriminelët. Por është interesant që në 11 korrik, bëhet 11 vjet prej kur me procedura të përshpejtuara, deputetët nga të gjitha partitë që janë në opozitë sot me të dy të tretat e votave imiratuan projektligjin për amnisti që i fali krimet e strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qeveritarët e asaj kohe e përshkruanin ligjin si një akt të rëndësishëm e të nevojshëm politik… Qeveria jonë i ka shpallur organizatat e tyre “Mbrojtja Civile”, dhe “Brigata e Veriut”, organizata terroriste, strukturat ilegale po mbyllen, shërbimet e tyre po zëvendësohen me shërbime të mira e të drejta të institucioneve të Kosovës. Nuk ka amnisti sepse ajo do të ishte padrejtësi ndaj viktimave, qytetarëve dhe shtetit tonë pa dallim, ka respektim të rendit dhe të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, tha ai.
Kryeministri Albin Kurti tha se fuqizimi i subjektivitetit të Kosovës është cak i programit qeveritar dhe punës së përditshme të tyre.
“Në Këshillin e Evropës kemi kaluar me sukses fazën e ambasadorëve të Këshillit të Evropës, komitetit për çështje politike dhe Asamblesë parlamentare, të cilat që të gjitha i kanë thënë po të zëshme e të fuqishme, bindës anëtarësimit të Kosovës në organizatën më të vjetër të kontinentit tonë. Vazhdojmë të besojmë që anëtarësimi jonë në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për organizatën dhe mekanizëm i duhur për qytetarët tanë. Ndërkaq, në asamblenë parlamentare të NATOS-s, vendi ynë me shumicë dërmuese të votave të delegatëve të shteteve anëtare të NATO-s, mori statusin e anëtarit të asociuar. NATO-n e duam në Kosovë dhe Kosovën e duam në NATO”, tha ai.