Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot mbërritjen në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të mijëra dronëve luftarakë kamikazë Skydagger. Ai theksoi se dhjetëra ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre.
Sipas Kurti, kontrata për këta dronë u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar me kompaninë turke Baykar, kompani amë e prodhuesit të Skydagger, dhe se mbërritja e tyre u paraprit tre muaj para planit të parashikuar për janar 2026.
Ai theksoi se dronët janë të tipit FPV RTF (Ready to Fly) dhe janë të pajisur me mjete shpërthyese për të goditur objektivat lëvizëse dhe statike të armikut. Ky kontingjent, sipas kryeministrit, do të forcojë kapacitetet e FSK-së së bashku me dronët TB2 Bayraktar dhe fluturaket Puma, duke e bërë ushtrinë më të aftë dhe të pajisur me teknologjitë dhe taktikat e luftës moderne.
Dronët u transportuan në kamionët multifunksionalë Rheinmetall 8×8, gjithsej 15 të tillë, nga të cilët 10 janë të blera nga Kosova dhe 5 të dhuruara nga partnerët ndërkombëtarë.
Njoftimi i plotë i Kurtit:
Kontejnerët me mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger mbërrinë sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Dhjetëra ushtarakë të FSK-së tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre.
Kontrata është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar me Kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydager. Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët.
Këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger të prokuruar nga ne janë dronë luftarak të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut.
Me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas TB2 Bayraktar dhe fluturakeve Puma po vazhdojmë të ngrisim dhe shtojmë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore.
Dronët u ngarkuan në kamionët multifunksional Rheinmetall 8×8 që i patëm marrë vitin e kaluar, 15 sosh gjithsej, 10 të blera nga ne dhe 5 donacion.