Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në takimin me Fatmir Limajn ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, teksa ka shtuar se ai ka bërë një ofertë Nismës, për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
“Me kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn kemi zhvilluar një takim pardje, meqë rast kemi diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, LVV unë si kryeministër në detyrë, si kryetar i subjektit fitues të zgjedhjeve kemi shprehur tashmë jo vetëm interesimin por edhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Sociademokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë pak a shumë një ofertë konkrete për Nismën në mënyrë që gjithçka të përmbyllet sa më shpejtë dhe sa më mirë dhe ta kemi konstituimin e Kuvendit e gjithashtu edhe qeverinë e re”, ka thënë Kurti në konferencën për media.
Kurti ka shtuar se kur të përmbyllen bisedimet me rezultatin final, atëherë do të tregohen hollësitë e përmbajtjes së saj.
“Mirëpo kur këto bisedime të përmbyllen me rezultatin final, atëherë do të mund të flasim për hollësitë e përmbajtjes së saj”, u shpreh ai.
