Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti mëngjesin e sotëm është prononcuar sërish për rezultatin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, ku arriti të fitojë 7 komuna, përcjell TV21. Kurti përmes një shkrimi në Facebook kërkon nga qytetarët që të mbajnë përgjegjës kryetarët e komunave për premtimet e bëra.
“Të dashur qytetarë të Kosovës, Ju falemnderit për pjesëmarrje në balotazhin e djeshëm të gjithë juve që e ushtruat të drejtën e votës. Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra. Të dashur aktivistë të VETËVENDOSJE!-s, Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore”, ka shkruar Kurti.
