Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se në kohë rekord u sanua në masë të madhe dëmin e shkaktuar në Ibër Lepenc duke thënë se kjo u bë falë punës së jashtëzakonshme dhe përgatitjes së lartë të institucioneve të vendit.
“Punë e jashtëzakonshme dhe përgatitje e lartë e institucioneve tona të cilat në kohë rekord sanuan në masë të madhe dëmin e shkaktuar në Ibër Lepenc. Çfarëdo sfide e tejkalojmë bashkë, e edhe ky sulm veçse shfaqi frymën e fuqishme të bashkëpunimit, kontributit e angazhimit të institucioneve tona.”, ka shkruar i pari i Qeverisë kosovare.
Të premten ka ndodhur një shpërthim në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut – më pak se 24 orë pas sulmit me granatë dore në ndërtesën e Komunës në Zveçan – duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, duke rrezikuar kështu furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.
Autoritetet qendrore të Kosovës, për sulmin që kanë cilësuar terrorist, e bëjnë përgjegjëse Serbinë. Sulmet janë dënuar edhe nga SHBA-ja e BE-ja./21Media