"Kurir": Hungaria ka kapitulluar para trafikuesve me qenie njerëzore

TË FUNDIT

Qendra e kryeqytetit të Hungarisë, Budapestit, është shndërruar në një zonë, në të cilën trafikuesit e qenieve njerëzore mund të veprojnë të papenguar nga ana e autoriteteve hungareze, shkroi e përditshmja austriake Kurir, duke nënvizuar se Hungaria ka kapitulluar para trafikantëve.
Hungaria ka kapitulluar para trafikuesve me qenie njerëzore, ka vlerësuar sot e përditshmja austriake, Kurir, duke përcjellë vlerësimin se Budapesti, përkundër të gjitha masave të ndërmarra deri me tani, është shndërruar në qendër të refugjatëve, të cilët synojnë perëndimin.
Para stacionit hekurudhor Keleti është vendosur një zonë territoriale, në të cilën trafikuesit ofrojnë të papenguar shërbimet e tyre.
Në dysheme të zonës transit të stacionit qëndrojnë të shtrirë shumë refugjatë, ndërsa anëtarë të rrjeteve trafikuese lëvizin në mesin e tyre, duke ju ofruar udhëtimin për në Gjermani. Bëhet fjalë për hungarezë të ri, disa prej të cilëve kanë mësuar edhe gjuhën arabe.
Stacioni Keleti është një pikënisje tejet e përshtatshme për të vazhduar udhëtimin drejtë shteteve tjera të Evropës. Siç shkruan Kurir, në këtë stacion mund të blihen biletat për trenat ndërkombëtarë, por aty veprojnë edhe taksistët, me të cilët mund të arrihet marrëveshje për udhëtim në auto-rrugë, e që kushton nga 450 euro për person.
Pikërisht për të ndalur valën e këtyre refugjatëve që po hyjnë në Hungari, autoritetet hungareze më herët kanë vendosur që të ngritin rrethojën me gjatësi 175 kilometra në brezin kufitar me Serbinë. Janosh Lazar, shef i kabinetit të Kryeministrit të Hungarisë, tha se është e domosdoshme një rrethojë e dyfishtë përgjatë gjithë brezit kufitar me Serbinë.
Gjatë një konference për shtyp, ai deklaroi se rrethoja e dyfishtë, e cila tashmë është ngritur në disa pjesë, duhet të zgjerohet për të mbuluar gjithë brezin kufitar./21 Media