Myslimanët në të gjithë botën festojnë sot një nga festat kryesore të islamit, Kurban Bajramin. Për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe rrezikut të përhapjes së tij, falja e namazit të kësaj feste, nuk u lejua në xhamitë e Kosovës. Në orën 6.30 minuta, përveç ezanit, në xhamitë e Prishtinës nuk pati besimtarë për ritualet e zakonshme fetare.
Në orën 06:03 minuta kur edhe ishte koha për faljen e namazit të Kurban Bajramit përveç ezanit, në xhamitë e Kosovës nuk pati besimtarë për ritualet fetare.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin dalë nëpër rrugët e kryeqytetit për t’u kujdesur për zbatimin e masës për mosfalje të Kurban Bajramit.
Si pasojë e rritjes së madhe të numrit të personave të vdekur nga COVID19 si dhe të infektuar nga kjo pandemi gjatë ditëve të fundit, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka pezulluar faljen e namazit të Bajramit si dhe të gjitha ritet fetare për 10 ditët e ardhshme në të gjitha xhamitë e vendit.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, me rastin e Kurban Bajramit uroi të gjithë besimtarët myslimanë duke i ftuar që kjo festë të kremtohet në shtëpi pasi, siç është shprehur, vetëm kështu mund të kontribuojmë në menaxhimin e situatës me pandeminë.
“Me fat Kurban Bajrami. Uroj dhe lutem që të keni shëndet të mirë ju dhe familjet tuaja. Dua të besoj se festat e ardhshme do t’i presim në një situatë krejt normale, pa pandemi, me gëzime e me sfidat e zakonshme që ka jeta. Sot festoni në shtëpitë tuaja dhe lutuni për familjarët, miqtë, vendin dhe mbarë njerëzimin”, shkruan Hoti.
Edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Thaçi në një postim në Facebook shkruan se për shkak të situatës me pandeminë këtë herë duhet ruajtur distancën fizike dhe shëndetin.
“Një festë me shumë solidaritet, mirëkuptim e harmoni për njëri-tjetrin qoftë ky Kurban Bajram. E kemi kaluar gjithherë të bashkuar, por në këto ditë të vështira nëpër të cilin po kalon populli ynë dhe tërë bota për shkak të pandemisë, këtë herë duhet ta kalojmë duke e ruajtur distancën fizike dhe shëndetin e më të dashurve tanë. Urime të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë!”, shkruan presidenti.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit duke potencuar se ky Bajram qytetarët e Kosovës i gjeti larg njëri-tjetrit, por afër me zemër.
“Shkaku i pandemisë COVID-19, do të kujdesemi që sot ta urojmë nga distanca secilin besimtar për Kurban Bajram dhe ta rikujtojmë se njerëzimi gjithmonë përballet me sakrifica. Kjo nuk do të jetë pengesë për festë dhe urim që Bajrami i ardhshëm të mund të kremtohet afër njëri-tjetrit dhe kur ditët e rënda si këto që po i kalojmë do t’i takojnë historisë! Urime Kurban Bajrami të gjithë besimtarëve myslimanë! Paqja, shëndeti, mirësia e begatia qoftë me ju dhe familjet tuaja!”, shkruan Osmani.
Edhe Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.
Zemaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se në këtë ditë të gjithë do donin që të vazhdonin traditën duke takuar familjar, por siç tha ai gjendja në vend është kritike.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të japin maksimumin e tyre, të evitojnë vizitat familjare në mënyrë që situata e rëndë për shkak të pandemisë të përmirësohet.
Dje në Kosovë nga koronavirusi jetën e kanë humbur 16 persona me çka u shënua numri më i madh i vdekjeve që nga fillimi i epidemisë në këtë vend.