Kur do të rikthehen autobusët privatë? Zafirovski thotë se sot kanë takim, por Qyteti i Shkupit mohon 

TË FUNDIT

Janë bërë katër shpallje publike, por ende nuk dihet se kur autobusët privatë do të kyçen në transportin publik. Jovica Zafirovski, përfaqësues i transportuesve privatë i tha TV21 se sot do të takohen sërish me përfaqësues të Qytetit të Shkupit, megjithatë nuk pranoi të deklarohet para kamerës.

“Do të takohemi sot sërish. Nuk kam çfarë t’ju tregoj pa u takuar. Shpalljet paraprake kishin disa mangësi ndërsa sot do të bisedojmë sërish të shohim për zgjidhje. Sa i përket shlyerjes së borxhit, NQP ka filluar ta bëjë pjesërisht pagesën, po presim që së shpejti të përfundojë. Nuk e di se kur do të bëhemi sërish pjesë e transportit publik”, tha Jovica Zafirovski, përfaqësues i transportuesve privat.

Pyetëm në Qytetin e Shkupit nëse deri tani është paraqitur ndokush në shpalljen e fundit, pse dështoi shpallja paraprake dhe cila është arsyeja e takimit të sotëm, por nga atje u përgjigjen shkurt.

“Për sot nuk është paraparë asnjë takim zyrtar”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Dy shpalljet e fundit janë identike, ndërsa sipas marrëveshjes që në mars e arritën transportuesit privatë dhe Qyteti i Shkupit, në fillim të prillit veç se duhej të fillonin me punë.

“Do të ketë 3 thirrje publike me 3 pako dhe do të përfshihen të gjitha linjat, vetëm se do të ketë ripërcaktim të linjave. Në ato thirrje publike do të paraqitemi të gjithë nuk ka arsye të mos paraqitemi, kushtet na konvenojnë”, deklaroi Jovica Zafirovski, përfaqësues i transportuesve privat.

Edhe pse Zafirovski thotë se ka filluar pagesa e pjesshme e borxhit, nga NQP të cilët mohonin se kanë borxh ndaj tyre nuk u përgjigjen nëse ka filluar apo kur do të shlyhet borxhi tërësisht. Përndryshe, që nga nëntori i vitit 2022 transporti publik operon me numër të reduktuar të autobusëve.