Kundër rritjes së çmimit të rrymës, paralajmërime për protesta në disa qytete

TË FUNDIT

Paralajmërimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 7,4 për qind ka nxitur reagime gjithandej.

Në rrjetet sociale për të enjten më 6 gusht  janë paralajmëruar protesta në Shkup, Tetovë dhe Gostivar.

Ajo e Shkupit parashihet të nisë nga parku i Çairit. Në Tetovë nga Sheshi “Iliria”, ndërsa në Gostivar nuk është përcaktuar lokacioni.

Arianit Xhaferi nga Këshilli Nismëtar i Tetovës, që brenda vetes ka disa shoqata qytetare, tregon se protesta janë paralajmëruar edhe në Kumanovë, Kërçovë e Dibër.

“Për të reaguar ndaj monopolit të shërbimeve të kompanive siç është EVN (NGJITJE), qytetarët për kohë të gjatë janë ankuar për sjellje jokorrekte ndaj këtyre kompanive, për pritjet të gjata në diell për të paguar një faturë, ose ankohen për faturat e fryra (NGJITJE). Pika e tretë, do të kërkojmë zhbërjen e Komisionit Rregullator për Energjetikë sepse ky komision nuk i shërben interesit të qytetarëve por mbron interesat dhe profitin e bizneseve dhe korporatave të energjetikës. Pika e katërt është të krijohet një trup i pavarur në shërbim të qytetarëve për të konfirmuar, verifikuar cilësinë e shërbimeve që këto kompani japin tek konsumatorët”, tha Arianit Xhaferi nga Këshilli nismëtar Tetovë.

Protestë paralajmëruan edhe Sindikata e Pavarur e Punëtorëve Ndërtimorë, Inxhinierëve dhe Tregtarëve të Ndërtimit si revoltë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Përfaqësuesi i punëtorëve ndërtimorë u bëri thirrje të gjithë punëtorëve të prodhimtarisë që të dalin në protestë kur e njëjta të organizohet.

“Për 14 vjet kemi rritje të çmimit për 230%, ose për 2,3 fish. Tani pyetja është se sërish paralajmërohet rritje për 7,4%, por këtu e marr me mend se nuk është llogaritur TVSH-ja prej 18%. Nëse e llogarisim edhe TVSH-në prej 18%, atëherë rritja e çmimit do të jetë rreth 8,73%”, deklaroi Atanas Trajkovski nga SPPNITN.

Nga kjo Sindikatë po ashtu konsiderojnë se rritja e çmimit të energjisë elektrike është një mënyrë e shtetit për t’ua marrë ato 500 denarë të cilat u shtuan së fundmi në rrogën minimale të punëtorëve.

Përveç paralajmërimeve për protesta, tashmë në formë online po firmoset edhe peticion për anulim të vendimit, të cilin deri në mesditë e kanë firmosur mbi 6 mijë qytetarë.

E krahas reagimeve të shumta, nga Qeveria kanë deklaruar se nuk do të ndërhyjë në vendimin e Komisioni Rregullator për Energjetikë. Në përgjigjen për TV21 dje thanë se Komisioni është trup rregullator i pavarur dhe se ekzekutivi nuk hynë në ingerencat e tyre. Shtojnë se si “do ta ndjekë ndikimin e vendimit të trupave rregullator dhe do të shqyrtojë se a ka nevojë ose jo për masa adekuate për lehtësim të standardit të qytetarëve”.