Pra kështu punojmë çdo ditë nga ora 09 deri në orën 17.
Këto janë makinat e reja të NP “Parkingjet-Qendër”. Do t’i ngasin punëtorët e kësaj ndërmarrje gjatë evidentimit të automjeteve të cilat janë parkuar në zona rezidenciale.
E për automjetet që nuk kanë leje të parkohen aty, të punësuarit u vendosin bllokatorë në rrota.
“Ka rrugë rezidenciale që janë të dedikuara për banorët. Përveç banorëve askush nuk mund të parkohet, ndryshe banori mund ta paraqes mysafirin që i vije”, tha Sebastian Rexhepi i punësuar në NP “Parkingje – Qendër”.
“Tabela këtu informon se parkimi është i lejuar vetëm për makinat rezidente. Një gjë e tillë vlen edhe për sektorin “Park” dhe “Debar Maallo”. Për makinat që nuk janë rezidente menjëherë do të vendoset bllokator, nga ana e NP “Parkingje-Qendër”, Almedina Ishmajli, gazetare.
Kanë ardhur për herë të parë në Shkup nga Azia. Kështu reaguan kur panë se makina e tyre është bllokuar. Kur mësuan se duhet të paguajnë 1200 denarë, ose 20 euro, ato thanë se është shumë shtrenjtë, por duhej të paguanin ngaqë nëse për dy orë nuk e paguajnë do të vije merimanga për t’ia marr. Turistët u ankuan duke thënë se nuk janë të informuar se ku dhe si të parkojnë, sipas tyre që në kufi duhet të ketë informata dhe udhëzime për të huajt.
“Mendoj se nuk është fer. Më duhet të paguaj sepse nuk mund të largohem nga vendi. Unë nuk e di planin në qytetin tuaj. Kur ne e kalojmë kufirin duhet të ketë shënime sepse ne nuk e dimë si ta zgjidhim problemin e parkimit”, tha një turiste nga Azia.
Nga ndërmarrja “Parkingje-qendër” thonë se turistët dhe të huajt mund të parkojnë në parkingje të mbyllura ku i kanë të gjitha informacionet, si dhe nëpërmjet SMS-porosisë, duke shtuar prefiksin e vendit.
NP “Parkingjet-Qendër” thonë se mesatarisht në ditë vendosin 15 deri 20 bllokatorë, në tre sektorë ku funksionojnë, ndryshe kjo ndërmarrje disponon me 35 mjete mekanike apo bllokatorë, dhe në proces është edhe blerja e 35 bllokatorëve të tjerë.
“NP “Parkingjet-Qendër” momentalisht disponon me 35 mjete mekanike “bllokatorë” dhe momentalisht është në proces të blerjes së 35 “bllokatorëve” të rinj. vendosja e bllokatorëve në zonën 0 dhe zonën 01 kushton 1.200 denarë, në zonën 1, 960 denarë dhe në zonën 2 – 720 denarë. Nëse dënimi nuk paguhet në afat prej dy orësh, makina do të rrëmbehet me automjetin special “merimangë”, thonë nga NP “Parkingje – Qendër”.
Makinat e reja janë sjellë në fillim të prillit me qëllim që të vendoset rregull në komunën Qendër. Tani për tani ka 4 makina, të cilat punojnë vetëm në një ndërrim, por nga 1 qershori, këto makina do të shihen edhe në sektorin e “Bunjakovecit” dhe do të punojnë në dy ndërrime. Deri në fund të verës pritet që të përfshihet tërë Komuna Qendër, nga kjo mënyrë e funksionimit të parkimit, njoftojnë nga ndërmarrja “Parkingjet-Qendër”.
Përgatiti: Almedina Ismajli
