Në Slloveni, në stacionet e karburantit janë vendosur kufizime për furnizimin me karburant: individët mund të mbushin deri në 30 litra për një furnizim, ndërsa për subjekte juridike dhe automjete të rënda, kufiri është vendosur në 200 litra. Nga ana tjetër, Sllovakia ka njoftuar masa kundër ashtuquajturit “turizëm benzine”, duke përfshirë çmime më të larta për automjetet me targa të huaja.
Nga MOL Slloveni është sqaruar se gjatë dy javëve të fundit është regjistruar një rritje e ndjeshme e konsumit, pjesërisht për shkak të krijimit të rezervave, por edhe për shkak të rritjes së numrit të shoferëve nga vendet fqinje që furnizohen në stacionet kufitare.
“Që të parandalojmë mbingarkesën dhe presionin mbi stacionet e karburantit, dhe njëkohësisht të sigurojmë furnizim të barabartë për të gjithë përdoruesit, kemi vendosur kufizime të përkohshme,” njoftuan nga kompania.
Masa është e përkohshme dhe zbatohet në të gjithë vendin, ndërsa kufijtë janë përcaktuar bazuar në konsumin mesatar ditor.
Kompania Shell ka vendosur kufizime – fillimisht deri në 200 litra për një furnizim, dhe më vonë gjatë ditës kufiri është ulur në 100 litra. Kompania Petrol deri tani nuk ka marrë një vendim për të vendosur masa të ngjashme.
Ndërkohë, Qeveria e Sllovakisë miratoi një rezolutë që lejon çmime më të larta për karburantin dizel për automjetet me targa të huaja, me qëllim të kufizimit të “turizmit të karburantit”.
Rafinaria Slovnaft kishte bërë me dije se në rajonet veriore të vendit, veçanërisht pranë kufirit me Poloninë, çmimet më të ulëta të dizelit kanë shkaktuar një rritje të papritur të kërkesës.
Kryeministri Robert Fico deklaroi se shoferët mbushin masivisht rezervuarët dhe kanistrat, duke shkaktuar mungesë karburanti në disa stacione.
Me rezolutën, e cila nuk vendos një kufi maksimal për çmimet, stacionet e karburantit mund të kufizojnë gjithashtu shitjen e dizelit për një furnizim dhe 10 litra shtesë për automjetet me targa të huaja.
