Askush nuk ka mundur të ndërhyjë dhe të paraqes vërejtjet lidhur me dokumentet për themelimin e Gjykatës Speciale, që janë hartuar nga Bashkimi Evropian dhe u janë dorëzuar të gatshme presidentes, kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, kështu ka deklaruar sot ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, në raportim para Komisionit për Integrime Evropiane. Duke shtuar që marrëveshja për drejtësi është vlerësuar se është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo deputet tjerë nuk u pajtuan ata konsiderojnë se marrëveshja për drejtësinë dhe Gjykatën Speciale shkelin Kushtetutën e Kosovës.
“Unë po e them që dokumentet për Gjykatën Speciale, te presidentja, te kryeministri dhe te unë kanë ardhur të hartuara nga BE-ja, raporton KS. Asnjë prej neve nuk ka pasur fuqi, kemi mundur ta bëjmë ndonjë vërejtje. E dyta presidentja e Kosovës ka themeluar një grup politik ku është edhe kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri dhe një grup teknik që jam unë, ministri Bajrami, ministri Demolli, kryetari i Gjykatës Supreme, kryetari i KGJK-së dhe ish kryeprokurori i shtetit. Këta janë njerëzit që kanë dhënë vërejtje, por po them asnjë pikë nuk ka lëvizur pa ardhur në Kuvend dhe pa u votuar. Kuvendi i Kosovës është ai që merr vendime me dy të tretat. Cilindo vendim që do ta merr Kuvendi unë do ta aplaudojë”, tha Kuçi. Ai me tutje shtoi se ata si grup teknik, kanë dhënë 18 vërejtje me shkrim dhe ia ka dërguar Komisionit për Legjislacion, por sipas tij, vendimmarrja është politike, kryetarëve të partive dhe Kuvendit.
Mirëpo me këto nuk u pajtuan deputetët të cilët thanë se marrëveshja për drejtësi dhe Gjykata Speciale shkelin Kushtetutën e Kosovës.
“Marrëveshja për Drejtësi e shkel Kushtetutën e Kosovës dhe ju e keni përgjegjësi ta respektoni atë Kushtetutë siç e kam edhe unë përgjegjësi ta respektoj. E jo të thoni kjo është dialog dhe t’i e dinë që aty bëhet kompromis, jo valla, nuk shkon kështu, a pe ndërrojmë krejt Kushtetutën. Qysh keni mundur me një rajon ta ndani strukturën etnike të punësuarve dhe gjyqtarëve e prokurorëve, 55-45. Shembull në rajonin e Prizrenit nuk është e ndarë, 80 përqind shqiptarë 20 boshnjak, do të thotë është bërë vetëm në veri, pse keni pranuar, jo çka ka dashur Brukseli. Sa i përket Gjykatës Speciale, njëjtë si mundet të pranohet, së pari kjo është e papranueshme, por hajde në fushëveprimin e juaj, qysh keni mundur ta pranoni që Gjykata të lidh marrëveshje ndërkombëtare me vendet e tjera dhe Kuvendi i Kosovës as mos me ratifiku, që është shkelje e Kushtetutës së Kosovës”, tha deputeti i Vetëvendosjes Ilir Deda.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani tha se është shqetësuese që në draftligjin që kanë parë janë edhe terme si gjenocid që përdorën, derisa dihet se me çfarë rastesh do të merret kjo Gjykatë. “Siç e dini fjala gjenocid përmendet në një draftligj që ne kemi parë dhe duke e ditur ,me cilat krime do të merret kjo Gjykatë, mendoj që kjo do duhej të ishte kërkesa më esenciale e delegacionit teknik të Kosovës. Pra, nuk do duhej as të aludohej se ka mundur të ketë gjenocid, po flas për ato krime, sepse ne e dimë që edhe qëndrimi zyrtarë i Kosovës është që aparatura serbe ka kryer gjenocid në Kosovë, mirëpo kjo gjykatë do të merret me krime të tjera”, tha Osmani. / 21MEDIA
