Kuçi: Bashkë mund ta luftojmë terrorizmin

TË FUNDIT

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit kundër Krimit Ekonomik në Kosovë, me ç’rast u bë lansimi i raportit të vlerësimit mbi pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare në fushën e luftimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit.
Në këtë konferencë, Ministri Kuçi duke folur për rëndësinë e këtij projekti, tha se PECK-u ka qenë një ndër projektet më të rëndësishme që BE, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe institucionet e tjera kanë realizuar në Kosovë.

Ministri Kuçi tha se lufta kundër korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe financimit të luftimit të terrorizmit, është një proces i vështirë dhe sfidues.

“Arkitektura të cilën e kemi ndërtuar, është në fazën e saj fillestare, por që ka dhënë rezultate të dukshme. Legjislacioni nga ky raport, i Kodit Penal dhe Procedurës Penale është adekuat për luftimin e këtyre tri dukurive, por kemi vërejtur edhe rekomandimet ku shihet nevoja për amendamente në mënyrë që të lehtësohet puna, qoftë e hetuesve, prokurorëve, por edhe e gjyqtarëve”, tha Kuçi.
Ministri Kuçi, tha se do të jenë të kujdesshëm që të përmirësojnë infrastrukturën ligjore, në veçanti të ketë dispozita që do të mundësonin zbatimin e tyre të lehtë në praktikë dhe njëkohësisht vështirësimin e aktiviteteve të gjithë atyre që pretendojnë të bëjnë vepër të terrorizmit, shpëlarje të parave apo edhe të korrupsionit.

Lidhur me raportin e publikuar, ministri Kuçi tha se do të merren masa konkrete lidhur me rekomandimet e përfshira në këtë raport, si në Kodin Penal dhe të Procedurës Penale, ashtu edhe rekomandimet lidhur Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar.

“Kemi vërejtur që në përgjithësi sa i përket legjislacionit, përkatësisht Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale dhe ligjet e tjera të ndërlidhura, raporti vënë në pah se këto akte në përgjithësi përputhen me standardetevropiane. Sidoqoftë, ne i kemi pranuar dhe do t’i pranojmë rekomandimet e dhëna në kuadër të projektit që kanë për qëllim përmirësimin e kornizës ligjore, veçanërisht në ato dispozita ku për arsye të ndryshme është hasur në vështirësi në zbatimin e tyre në praktikë” ka thënë Kuçi.

Lidhur me nevojën e bashkëpunimit ndërinstitucional, e cila theksohet në këtë raport, Ministri Kuçi tha se, sistemi institucional dhe ai i drejtësisë janë të strukturuara në formën e zinxhirit hallkor.

Ai ka kërkuar që të ketë një partneritet me BE-në dhe SHBA-në si dhe vendet e rajonit, në mënyrë që të luftohen këto dukuri, në veçanti tha ai, do të kërkohet bashkëpunim në bartjen e eksperiencave për përgatitjen e kuadrove për kriminalitetin kibernetikë dhe atë financiar.

Dukuritë e veprave penale të cilat përfshihen në Kodin Penal, përfshirë vrasjet dhe vepra tjera të rënda, duhet të dënohen, tha Kuçi. Dukuritë e luftimit të korrupsionit, shpëlarjes së parave, terrorizmit, e cenojnë të gjithë shoqërinë në Republikën e Kosovës, dhe me këtë rast angazhimi ynë do të jetë edhe më i madh në parandalimin e këtyre dukurive, shtoi Kuçi.