Ku mbeti komisioni për pastrim të gjyqësorit? Zaev e premtoi në 100 ditët e para të Qeverisë së re

TË FUNDIT

“Çështja e dytë është vendosja e komisioneve që do të punojnë në pastrimin e gjyqësorit dhe kontrolli i pasurisë së zyrtarëve si një segment i sistemit gjyqësor”, u shpreh Zoran Zaev – Kryeminisër i Maqedonisë së Veriut.

Para dhe pas formimit të qeverisë së re, Kryeministri Zoran Zaev premtoi që në 100 ditët e para do të formohet komision me ekspertë vendor e ndërkombëtar që do të vendosë themelet e pastrimit të gjyqësorit. “Çdo gjykatës që ka vjetërsuar lëndë do të shkarkohet nga ky komision”, pat thënë Zaev.

TV21 pyeti sot kryeministrin se deri ku është formimi i këtij komisioni që do të pastronte gjyqësorin, ndërsa ai shkurt na u përgjigj:

 “Tashmë ka filluar me pastrimin… Detaje do të japë Bojan Mariçiq”, tha kryeministri Zoran Zaev.

U drejtuam tek Ministri i Drejtësisë, por Mariçiq nuk deshi të komentojë.

 “Nesër në pres konferencë do të përgjigjem me kënaqësi për të gjitha pyetjet tuaja”, potencoi Bojan Mariçiq – Ministër i Drejtësisë.

Është e paqartë nëse me pohimin “pastrimi i gjyqësorit tashmë ka filluar”, kryeministri e ka fjalën në përgjithësi për rastet e gjykatësve që janë shkarkuar deri më tani, ose nëse bëhet fjalë për shkarkime të reja. Asnjëri nga kompetentët e institucioneve të drejtësisë nuk ishte i gatshëm të fliste për këtë. Kryeprokurori Lubomir Joveski nuk na ktheu përgjigje. Kryetari i gjykatës Penale Shkupi 1, Ivan Xholev thotë se nuk ka ndonjë moment të ri. Ai i Gjykatës Supreme, Faik Arsllani, na drejtoi tek Këshilli Gjyqësor, por Kryetari i saj, Kiro Zdravev nuk mund të përgjigjej. Ndërkaq Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Aco Kolevski, na tha se nuk flet dot për shkak të gjendjes shëndetësore.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për sistemin gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, thuhet se vendi ka një farë niveli të përgatitjes në këtë fushë. Thuhet po ashtu se është bërë progres i mirë në zbatimin e strategjisë për reforma në sistemin e drejtësisë, ndërsa institucionet kompetente po implementojnë rregullat e reja të emërimeve, avancimeve, disiplinës dhe pushimin e gjykatësve nga puna.