Ndonëse ka kohë të gjatë që VLEN po e paralajmëron ligjin për përfaqësim të drejtë, ndërsa zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, javën që shkoi tha se janë në fazën finale të përgatitjes së ligjit, megjithatë ende nuk ka asgjë konkrete.
Nga Fronti Europian thonë se nuk kanë informacione se deri ku ka arritur përgatitja e ligjit dhe dyshojnë se ekziston tendencë që të lihet aq hapësirë kohore.
Që nga tetori koalicioni VLEN pohonte se së shpejti do të sillet ligji. Deputeti nga ky koalicion, Rijad Shaqiri, e pranoi se është prolonguar sjellja e ligjit që duhet të sjell zgjidhje të re ligjore pasi që gjykata kushtetuese e shfuqizoi Balancuesin. Megjithatë sipas tij, më mirë është të prolongohet dhe në fund të kemi ligj të mirë, sesa më vonë përsëri të ndryshohet.
Nga partneri i koalicionit VMRO-DPMNE thonë se ende po bisedohet për këtë zgjidhje ligjore.
Me qëndrim të ngjashëm edhe Qeveria.
Zgjidhja e re ligjore që duhet të sillet, pasi që Kushtetuesja e shfuqizoi Balancuesin, do të kalojë filtrin edhe në Komisionin e Venecias, ndërsa për të do të hapet edhe debat publik.
