Kandidati për President Blerim Reka nuk arriti të kalojë në rrethin e dytë të zgjedhjeve Presidenciale. Në të parin mori thuajse 80 mijë vota, të cilave tani syrin ua kanë vënë dy kandidatët e tjerë, Gordana Siljanovsk-Davkova dhe Stevo Pendarovski. Të dy pohojnë se presin që votuesit e Rekës tani të votojnë për ta, por vetë kandidati Reka dhe liderët opozitarë shqiptarë deklaruan se nuk do të bëjnë pazare me votat. Megjithatë bëhet fjalë për 80 mijë vota të grumbulluara me ndihmën e Lëvizjes “Besa” dhe “Aleancës për Shqiptarët”, andaj ç ‘thirrje do t’i bëjnë elektoratit të tyre dy partitë opozitare shqiptare për në rrethin e dytë të presidencialeve?
“Normalisht që do t’i lejojmë votuesit që të shprehin vullnetin e tyre lirshëm dhe të marrin vendimin e tyre në bazë të bindjeve të tyre, por sidoqoftë jemi dy parti politike, dua që të kemi konsultime që javën e ardhshme të dalim me prononcim zyrtar dhe qëndrim rreth rrethit të dytë. Çdo vendim për të cilin do të apelojmë do të jenë në interesin e qytetarëve dhe shtetit në përgjithësi”, deklaroi Kastriot Rexhepi, nënkryetar i Lëvizjes Besa.
Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët tha për TV21 se votat që shkuan për Blerim Rekën janë vota të pastra të shumicës absolute të votuesve shqiptar nga numri i përgjithshëm votuesve shqiptar.
“Këta vota , janë e drejtë personale, demokratike dhe votë e shejntë e qytetarëve shqiptarë që përbëjnë verdikt autonom, pro opozitës shqiptare dhe si të tilla e delegjitimuan BDI-në në vendbanimet shqiptare. 80.000 votat e Blerim Rekës janë pronë e qytetarëve shqiptarë që i besuan konceptit tonë dhe si të tilla do të ngelen pjesë e ndryshimit te skenës politike. ASH nuk ka qëndrim final për rrethin e dytë, organet partiake do të vendosin për hapat e mëtutjeshëm, ne jemi pronë e votuesve shqiptarë dhe jo e kundërta”, pohoi, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.
Rrethi i dytë i zgjedhjeve Presidenciale mbahet më 5 maj. Në garë janë Gordana Siljanovska-Davkova me mbështetjen e opozitares VMRO-DPMNE dhe Stevo Pendarovaski si kandidat i koalicionit qeverisës.
PËRGATITI: BESIR ARIFI
