Nga 250 milionë euro për komunat dhe odat ekonomike, 460 milionë euro si investim për sektorin e energjetikës. Këto janë planet e qeverisë së ardhshme të VMRO-DPMNE-së, VLEN dhe ZNAM në hapat reformuese për zhvillimin ekonomik të shtetit, thonë burime për TV21. Në fakt këto janë planet se si do të shpenzohen paratë prej 1 miliard eurove që do të huazohen si injeksion financiar nga Hungaria me, siç thonë, kushte shumë të volitshme me shkallë interesi prej 2,59% dhe periudhë grejs prej 3 viteve. Mickoski zbuloi vetëm pjesë nga planet e qeverisë së ardhshme që do t’i realizojë me këto para.
“Përndryshe, po, në programin tonë një prej shtyllave bazë është riorientimin e mjeteve të buxhetit qendror drejt buxheteve të komunave. Qëllimi i këtij aktiviteti është që t’ua afrojmë punën e qeverisë amvisërive përmes realizimit të projekteve që janë me rëndësi të madhe për qytetarët, siç janë bulevarde të reja, rrugë, sisteme të kanalizimit, as 20% nga i gjithë territori nuk kanë qasje deri te kanalizimi”, tha Hristian Mickoski, mandatar.
Mickoski thotë se nga projektet e rëndësishme për qytetarët do të jenë ato që kanë të bëjnë me ujë të pijshëm, çerdhe të reja për fëmijë, shkolla dhe parqe. Tha se me rebalancin e buxhetit që e paralajmëroi për gjysmën e dytë të korrikut, do të ndahet gjysma prej shumës, përkatësisht rreth 125 milionë euro për të cilat komunat në pjesën e parë të shtatorit do të duhet t’i dorëzojnë projektet e tyre. Paralajmëroi edhe një projekt në pjesën e energjetikës për të cilin do të ndahen 460 milionë euro, ku do të prodhohet 1 tera orë energji elektrike në vit. Jozyrtarisht bëhet fjalë për një central me erë mes Karbincit, Shtipit dhe Radovishit.
“Pritet një projekt i madh investues në fushën e energjetikës, si asnjëherë më parë në rajon, të mos flas për Maqedoni, presim dy investime të mëdha të huaja dhe zgjerim të dy investimeve të huaja tashmë ekzistuese këtu në Maqedoni në 100 ditët e para. Prisni shumë gjëra të bukura dhe pozitive, diçka që qytetarët e presin nga ne”, deklaroi Mickoski.
Por ekspertët e ekonomisë janë skeptikë për huamarrjen. Profesori universitar Vanço Uzunov paralajmëron të kihet kujdes me marrjen e një kredi të tillë.
“Kur dikush ju ofron një miliard, hapni jo 4 por 44 sy. Është automatikisht shumë e rrezikshme. Pse ia ofroi Mickoskit, sepse ai do të marrë pushtetin? Mickoski duhet të përgjigjet vetes nëse kjo gjë është me qëllim të mirë apo jo”, u shpreh Vanço Uzunov .
Përndryshe, nga aspekti tatimor, qeveria e re planifikon uljen e tatimit të përfitimit deri në 5% nëse ky përfitim riinvestohet.
