Pas problemeve në lidhje me atë se kush duhet të ulet në kolltukun e shtatë në KSHZ, Abdush Demiri si përfaqësues i opozitës shqiptare më në fund arriti të japë deklaratë solemne me çka KSHZ-ja edhe zyrtarisht u kompletua. Demiri paralajmëroi se që sot do të fillojë të kryej detyrën e tij.
“Më në fund opozita shqiptare e mori anëtarin e vet në KSHZ. Nuk e dimë pse ky proces u zvarrit edhe pse me ligj vendi ishte i rezervuar për opozitën shqiptare. Por megjithatë, ja sot e dhashë deklaratën solemne dhe së bashku me Kryetarin do të shkojmë në zyrat e KSHZ-së që të kryej detyrat dhe përgjegjësitë e mia sipas Kodit zgjedhor”, theksoi Abdush Demiri, anëtarë i KSHZ-së.
Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski tha se ka qenë optimist se edhe krahas bllokadave, megjithatë do të kompletohet përbërja e Komisionit me të gjithë 7 anëtarë. I pyetur për problemet me lëshimin e dokumenteve personale me çka një pjesë e madhe e qytetarëve që nuk arritën t’i ndryshojnë, nuk do të mund të votojnë, ai tha se Kuvendit i kanë propozuar që të ndryshohet Kodi zgjedhor me çka do t’u mundësohet qytetarëve që të votojnë me dokumentet e vjetra.
“Ne dhamë propozim si KSHZ, i njëjti tashmë është në Kuvend, që në Kodin zgjedhor të bëhet ndryshim ku do të ketë një dispozitë kalimtare vetëm për këto zgjedhje të vlejnë dokumentet e vjetra me qëllim që të gjithë qytetarë ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. A do të miratohet ose jo, varet nga Kuvendi”, pohoi Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.
Kompletimi i KSHZ-së prolongohej një kohë të gjatë për shkak se ASH insistoi se duhet të zgjidhet kandidati i partisë së Arjanit Hoxha, Zylfi Adili. Problemi u zgjidh pasi Adili e tërhoqi kandidaturën dhe u emërua drejtor i Agjencisë për investime të huaja.
