Fokusi i antikorrupsionistëve në 5 vitet e ardhshme do të jetë në prokurimet publike dhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, si dhe në sektorët: drejtësia, transporti dhe projektet infrastrukturore, planifikimi hapësinor, planifikimi urban dhe ndërtimtaria, shëndetësia, dhe sektori i mjedisit jetësor, energjetikës dhe burimeve natyrore.
“U fokusuam, edhe pse vetë vlerësimi i rreziqeve përfshiu më shumë sektorë, u fokusuam në ata për të cilët mendojmë se në periudhën pesëvjeçare, nëse zbatohen, do të kenë efekt të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë dhe në uljen e korrupsionit”, tha kryetar i KSHPK Adem Çuçul.
Këtë Strategji Nacionale për Parandalimin e Korrupsionit 2026–2030, menjëherë do ta dorëzojë te deputetët, u zotua Kryetari i Kuvendit, Gashi.
“Menjëherë do t’ua dorëzoj deputetëve dhe shpresoj që në kohën më të shpejtë të mundshme, sipas Rregullores, të jetë në seancë plenare dhe të miratohet siç tha edhe kryetari i Komisionit Shtetëror. Shpresojmë edhe në zbatimin që varet nga të gjithë faktorët në shtet”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Çuçul pret që shpejt të miratohen edhe ndryshimet e Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, të cilat janë në procedurë qeveritare, me çka sipas tij do të forcohet roli dhe integriteti i tyre. Po ashtu do të ashpërsohen edhe sanksionet për funksionarët që nuk e deklarojnë gjendjen e tyre pasurore.
“Niveli i ulët i sanksioneve është detektuar edhe nga GRECO dhe për këtë arsye në procedurë qeveritare është tashmë ligji ynë, respektivisht ndryshimet e ligjit, ku parashihen sanksione më të larta, pasi lidhen me Ligjin për kundërvajtje, dhe ka edhe mekanizma të tjerë për sanksionim për mosdeklarimin e pasurisë. Pra, dyfish sanksionim dhe mekanizma të tjerë si verifikim shtesë i pasurisë dhe hapje e procedurave të tjera”, shtoi Çuçul.
Edhe pse disa institucione nuk kanë dhënë vlerësime për Strategjinë Nacionale, me ndihmën e ekspertëve është llogaritur se për Antikorrupsionin do të nevojiten të paktën 3.5 milionë euro për zbatimin e saj. Sipas Çuçul, kjo është një shumë e ulët krahasuar me atë që shteti mund të përfitojë nga implementimi i Strategjisë Nacionale.
