KS i OKB-së nuk e miratoi rezolutën ruse për Sirinë

TË FUNDIT

Një draft-rezolutë e Rusisë për vazhdimin e ndihmës humanitare për Sirinë e shkatërruar nga lufta ka dështuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tha të mërkurën ambasadori gjerman në OKB, Christoph Heusgen.

Propozimi rus ishte një kundër-rezolutë ndaj projekt-rezolutës gjermano-belge ndaj të cilës vendosen veto Rusia dhe Kina.

Vetëm katër vende votuan për projekt-rezolutën ruse – Rusia, Kina, Vietnami dhe Afrika e Jugut. Shtatë të tjera, përfshirë Gjermaninë, SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën, votuan kundër. Katër vendet e mbetura abstenuan.

Misioni i Gjermanisë në Kombet e Bashkuara tha se propozimi i Rusisë nuk i plotësonte kërkesat themelore të përshkruara nga zyra e OKB-së për çështje njerëzore ose nga organizatat joqeveritare.

OKB-ja ka dërguar ndihma në Siri që nga viti 2014, përmes vendkalimeve kufitare që nuk kontrollohen nga qeveria siriane.

Rusia, mbështetësja kryesore e presidentit sirian, Bashar al-Asad, ka kërkuar që ndihmat të shpërndahen përmes vendkalimeve kufitare që kontrollohen nga qeveria siriane.

Ndihma, aktualisht kalon nëpër dy pika kufitare ndërmjet Turqisë dhe Sirisë, njëra në Bab al-Salam, e cila të çon në rajonin e Alepo, dhe tjetra Bab al-Hava, për rajonin e Idlibit të kontrolluar nga opozita siriane.

Që nga shpërthimi i konfliktit në Siri në mars të vitit 2011, disa vlerësime thonë se të paktën 500,000 njerëz janë vrarë./21Media