Kryetarja e Kisella Vodës, Stamenkoska-Trajkoska: Siguria e qytetarëve nuk politizohet

TË FUNDIT

Kryetarja e Komunës së Kisella Vodës, Beti Stamenkoska-Trajkoska, ka shprehur dhimbje të thellë për ngjarjen tragjike.

Ajo u ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës dhe ka uruar shërim të shpejtë për të lënduarit, duke theksuar se bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë që ka prekur gjithë komunitetin. Në reagimin e saj, ajo ka theksuar se siguria e qytetarëve dhe punëtorëve është prioritet absolut dhe nuk duhet të shërbejë për pikë politike, duke apeluar për përgjegjësi dhe maturi në komunikimin publik.  

Stamenkoska-Trajkoska ka bërë të ditur se institucionet kompetente tashmë janë në terren, po zhvillojnë kontrolle dhe po verifikojnë të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Ajo shtoi se komuna bashkëpunon plotësisht me organet hetimore dhe do të veprojë në përputhje me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet që do të dalin nga hetimi. Po ashtu, ajo u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin përhapjen e informacioneve të pakonfirmuara dhe politizimin e rastit, duke theksuar se situata të tilla kërkojnë qasje serioze institucionale dhe jo reagime politike të përditshme.