Kryesimi me OSBE do t’i kushtojë vendit rreth 5 milionë euro, njoftoi shefi i diplomacisë Bujar Osmani. Megjithatë, sipas tij, përfitimet e vendit nga kryesimi janë shumë të mëdha. Shpenzimi më i madh do të jetë takimi i ministrave që do të mbahet në fund të këtij viti ku mes të tjerëve do të marrin pjesë SHBA-të dhe Rusia. Për promovimin e kryesimit me OSBE, MPJ angazhoi agjenci për të cilën do të shpenzohen 100 mijë euro. A duhej që në kohë krize të angazhohej agjenci në vend të të punësuarve në MPJ dhe Qeveri?
“Furnizimi kushton 6 milionë denarë, agjencinë që e angazhuam është Rejting dhe e zgjodhëm për shkak se në Ministri nuk kemi dizajnues për këtë punë. Brenda një ore duhet të zbarkojnë 70 ministra të jashtëm. Për të gjithë këta duhet siguruar automjete. Ne nuk kemi kaq automjete VIP për 70 përfaqësuesit e lartë dhe jemi duke kërkuar për të huazuar diku në rajon.”- deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Prioritetet gjatë kryesimit tonë, Osmani tha se do të jetë përforcimi i misioneve, përkushtimi ndaj të ashtuquajturve konflikte të ngrira dhe sundimi i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit. Theksi kryesor do të jetë mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës. Po si do të zhvillohet komunikimi me Moskën zyrtare?
“Planifikoj që vizita ime e parë si kryesues me OSBE, të jetë në Ukrainë, sepse, siç thashë, Ukraina do të dominojë gjatë kryesimit. Komunikim me Rusi, po, do të ketë, në Vjenë, ambasadorët janë në komunikim të vazhdueshëm por u është thënë qartë se duhet t’i kthehemi respektimit të angazhimeve dhe parimeve të OSBE-së, e pastaj të shohim se si e gjithë kjo të shndërrohet në dialog të vlerave thelbësore.”- tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Maqedonia e Veriut kryeson me OSBE që nga 1 janari i këtij viti, ndërsa motoja është “Bëhet fjalë për njerëz”.
