Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi përmes Facebookut ja njoftuar se mbrëmë e ka nënshkruar aktvendimin për ndryshimin dhe plotësimin e aktvendimit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme më 15 korrik 2020. Xhaferi shpjegon se dokumenti i firmosur është arkivuar dhe është dërguar edhe në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Ministrinë e Drejtësisë, me çka mbahet llogari për afatet për ditët e përcaktuara në Kushtetutë.
“Data konsensuale e pushtetit dhe opozitës është 15 korrik 2020. Këto zgjedhje do të jenë të pazakonshme për atë se nuk do të ketë fushatë të zakonshme zgjedhore, mirëpo, ajo që është më e rëndësishmja dhe ndaj të cilës do të duhet të përmbahemi të gjithë në mënyrën më të disiplinuar janë masat dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim që të ruhet shëndeti dhe jeta e qytetarëve” ka shkruar kreu i Kuvendit Talat Xhaferi./TV21
