Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, do të marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2015, i cili do të zhvillohet në Vjenë, njoftoi shërbimi i informimit i Qeverisë.
“Në këtë samit shumë të rëndësishëm për rajonin, do të jenë të pranishëm edhe kancelarja Federale Gjermane, Angela Merkel, kancelari Federal Austriak, Werner Faymann, kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe përfaqësues të shteteve të tjera evropiane, të mekanizmave të BE-së dhe të institucioneve ndërkombëtare financiare.
Në kuadër të delegacionit të Republikës së Kosovës, në samitin e Vjenës, i cili është i ndarë në tri nivele, do të jenë edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.
Në sesionet e këtij samiti, do të trajtohen tema të rëndësishme që lidhen me situatën ekonomike, proceset e reformave, rin inë, edukimin, energjinë, transportin, e tema të tjera me rëndësi për vendet dhe qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ky samit pritet të ketë rezultate konkrete në fushën e bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë samitit do të prezantojë progresin që po arrihet në Kosovë në shumë fusha dhe hapat e mëtejshëm të Republikës së Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e gjithanshëm të shtetësisë.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu do të ketë takime të nivelit të lartë dhe do të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të këtij samiti”, thuhet në komunikatë.

