U përshëndetën në gjuhën amtare të njëri-tjetrit! Ministri i jashtë Timço Mucunski e priti me lule e sipas protokollit homologen e tij nga Shqipëria Elisa Spiropali. Në fjalën e saj, kryediplomatja shqiptare tha se Maqedonia e Veriut duhet ta zbatojë në përpikëri Marrëveshjen e Ohrit, gjersa shtoi se shqiptarët janë faktorë shtetformues.
“Shqipëria e mbështet integrimin Evropian të Maqedonisë së Veriut, jo thjesht si fqinj me të cilin ndajmë një të ardhme të përbashkët, por edhe sepse këtu jeton një komunitet shtet formues shqiptarë që arrin deri në 30% të popullsisë së përgjithshme sipas censit të fundit. Shqiptarët këtu janë një faktor progresistë, proevropianë dhe vendimtarë për stabilitetin demokratik dhe orientimin euroatlantik. Prandaj në klimën e sotme gjeopolitike ku ndikimet e ‘aktorëve’ të tretë po shtohen dhe kërcënimet hibride po bëhen më agresive, roli konstruktiv i shqiptarëve dhe i përfaqësuesve të tyre politik, në shumicë apo në opozitë, mbetet jetik për vijimin e reformave në rrugën europiane”, tha Elisa Spiropali, Ministre e Jashtme e Shqipërisë.
Në muajin shkurt në Tiranë pritet të institucionalizohet bashkëpunimi pesë palësh për Korridorin 8 ndërmjet Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Rumanisë për një kornizë strategjike.
Si dy vende anëtare të NATO-s dhe kandidatë për anëtarësim në BE, në takimin e sotëm u diskutua për vazhdimësinë e marrëdhënieve politike dhe shkëmbimit tregtar ekonomik, tha ministri Timço Mucunski.
Pritet që gjatë vitit të ardhshëm në hapet një zyrë e re konsullore e Shqipërisë në Manastir – Qytetin e Alfabetit shqip.
“Diskutuam edhe për bashkëpunimin konkret në raportet dypalëshe, për rëndësinë e Korridorit 8 për të dyja vendet. Për nisma të ndryshme, të cilat do t’i prezantojmë në periudhën që vjen të iniciuara nga të dyja palët dhe kolegët e vendeve anëtare të BE-së. Biseduam për shkëmbimin tregtar dhe bashkëpunimin ekonomik. Para disa muajsh Shqipëria hapi Konsullatë të re në Strugë, kurse me gëzon fakti që në 2026 ne do të hapin Konsullatën e përgjithshme tonën në Korçë. Biseduam për lidhshmëri edhe në fushat tjera, për fqinjësinë e mirë, për shkëmbimin e projekteve të ndryshme”, pohoi Timço Mucunski, ministër i Jashtëm i Maqedonisë.
Duke qenë se Shqipëria ka hapur të gjitha kapitujt e negociatave për integrim në BE, dhe pritet që deri në vitin 2030 të bëhet shtet anëtar i plotë, është shtuar interesimi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për aplikim të shtetësisë shqiptare. E pyetur për këtë, ministrja Spiropali tha se shteti shqiptar e ka detyrim Kushtetues që të kujdeset për shqiptarët kudo që ndodhen – për të drejtat, mirëqenien, sigurinë dhe bashkëjetesën e tyre, duke thënë se shqiptarëve u takon me ligj e drejta e marrjes së shtetësisë shqiptare.
