Qytetarët e Krushevës janë paralajmëruar të mos konsumojnë ujin nga rrjeti i ujësjellësit në disa pjesë të qytetit, pasi analizat kanë treguar se ai është mikrobiologjikisht i pasigurt, përcjell TV21. Sipas Qendrës për Shëndet Publik në Prilep, mostrat e marra më 20 korrik kanë konfirmuar ndotje bakteriologjike të ujit në lokalitetet Shën Petka, “Krajpatna Benzinska”, rajonin e “Çreshovo Topçe”, “Kishën e Vjetër” dhe zonën poshtë hotelit Montana.
Pas këtij konstatimi, Qendra për Menaxhim me Kriza dhe Ndërmarrja Publike në Krushevë u kanë bërë apel qytetarëve që për pije të përdorin vetëm ujë të ambalazhuar. Institucionet rekomandojnë gjithashtu që uji nga rrjeti të vlohet për të paktën 10 minuta para se të përdoret për gatim ose larje, derisa analizat e radhës të konfirmojnë se ai është sërish i sigurt për konsum.
