Kroaci: Kuna shkon, Euro vjen

TË FUNDIT

Tre studentë dizajnuan monedhat kroate të euros dhe promovuan Evropën në Kroacinë euroskeptike. Euro do të futet në Kroaci zyrtarisht më një janar 2023, ndonëse ende ka skeptikë.

Mëngjes i ngrohtë në Zagreb. Banorët e kryeqytetit kroat po ecin me shpejtësi nëpër rrugë. Shumë prej tyre blejnë shpejt e shepjt diçka për nevojat e ditës dhe vazhdojnë rrugën. Tre studentët Jagor Sunde, Fran Zekan dhe David Cemeljiq ulen në një kafene në qendër të qytetit dhe shikojnë rrëmujën.

Dy burra po paguajnë në tavolinën pranë tyre. Prej disa kohësh tre studentët kanë një shikim të veçantë kur shohin monedhat kroate. Monedha kombëtare kuna do të zëvendësohet së shpejti me futjen e euros si mjet pagese në përdorim. Jagori, Frani dhe Davidi kanë kontribuar shumë për ndryshimin e monedhës në mënyrën e tyre. Ata kanë dizajnuar monedhat kroate euro dhe kanë fituar garën në konkursin e Bankës Kombëtare Kroate (HNB).

Mendimet e kundërta

Më 1 janar 2023 do të bëhet ndryshimi i madh: Kroacia do të aplikojë zyrtarisht euron si monedhën zyrtare dhe do të bëhet anëtarja e 20-të e Eurozonës. BE më në fund dha dritën jeshile për këtë në mesin e korrikut 2022. Por ky hap është i diskutueshëm në Kroaci.

Shumë njerëz janë të shqetësuar dhe kanë frikë nga efektet negative si rritja e çmimeve. Opozita e konsideron të gabuar vendimin dhe mendon se duhet të priten rrethana më të mira, sepse ekziston frika që BE-ja do të rrëshqasë në ndonjë krizë tjetër të thellë. Sipas Eurobarometrit, vetëm rreth 55 përqind e njerëzve në Kroaci e mbështetën futjen e euros këtë vit – që është dukshëm më pak se në vitet e mëparshme./DW