Mandatari malazez Zdravko Krivokapiq deklaroi se është i bindur që qeveria do të zgjidhet më 2 dhjetor dhe se vetëm është i brengosur që periudha kohore është më e gjatë se sa që pritnin qytetarët.
“Thashë se do t’i plotësoj obligimet e mia deri më 8 nëntor dhe e bëra atë. Kemi qeveri eksperte, i respektova të gjitha afatet dhe tani i mbetet Parlamentit”, deklaroi Krivokapiq në TV Vijesti.
Ai gjithashtu tha se në qeverinë e propozuar nuk ka asnjë politikan.
“Politikan është ai që profesionalisht përkushtohet në aktivitetet e tij, jam kujdesur që dikush nga lista e ministrave të mos jetë në listën që ishte për deputetë. Unë nuk kam bazë të të dhënave dhe nuk kam mundur të hyj në tërësi të tillë”, shtoi ai.
Ai paralajmëroi plan për riorganizim, duke theksuar se disa në sektorin publik do të marrin pagesë për shkurtim nga puna, disa do të shkojnë në pension, ndërsa disa në biznesin privat.
“Asnjë zyrtar profesional në cilëndo ministri nuk duhet të frikohet për punën e tij. Nëse duam të shohim përparim të Malit të Zi, të shikojmë përpara”, tha Krivokapiq.
