Kritiku i ashpër i Putinit gjendet i vrarë në Stamboll

TË FUNDIT

Një nga kritikët e Vladimir Putinit është gjetur i vrarë në Turqi, ku jetonte në mërgim nën një identitet të rremë.

Abakar Abakarov, drejtues i kanalit Telegram “Morning Dagestan”, u qëllua me thikë në disa pjesë të trupit, por rrethanat e vrasjes mbeten ende të paqarta, raportojnë mediat britanike.

Trupi i tij u gjet nga një punonjës pastrimi të premten në një vilë me qira në Stamboll, ku ndodhej i shtrirë në një pellg gjaku. 49-vjeçari kishte qenë i zhdukur për më shumë se një javë dhe jetonte me një emër të rremë për të shmangur atentatorët rusë, raportuan mediat lokale.

Abakarov ishte në listën ndërkombëtare të personave të kërkuar nga Rusia pasi u akuzua për nxitje të trazirave anti-Kremlin në Dagestan përmes kanalit të tij. Ai u largua nga vendi pas trazirave në Aeroportin Ndërkombëtar të Makhachkalasë në vitin 2023, ku një turmë sulmoi aeroportin dhe plagosi mbi 20 persona, përfshirë nëntë oficerë policie.

Sipas raportimeve të mëparshme nga gazeta turke Yenisafak, trupi i tij u gjet në vilën në Stamboll më 7 tetor. Viktima kishte hyrë në vilë më 6 tetor dhe kishte pritur një mysafir të nesërmen, i cili u largua me dy çanta.

Ai nuk mbante asnjë dokument identifikimi, por policia konfirmoi se ishte shtetas i një vendi tjetër. Autoritetet turke kanë nisur hetime, por nuk kanë dhënë komente zyrtare për rastin.