Krerët e shtetit urojnë për festëm, mesazhe për paqe e unitet

TË FUNDIT

Krerët e shtetit kanë uruar besimtarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe bashkëjetese. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në urimin e saj vlerësoi se në kohë pasigurish dhe sfidash, festat fetare kanë fuqi të veçantë shpirtërore dhe shërbejnë si urë për forcimin e respektit dhe mirëkuptimit ndërmjet qytetarëve.

“Pikërisht në aftësinë për të ruajtur dhe shprehur dashurinë dhe kujdesin për të afërmin, edhe në momente dallimesh dhe sfidash, njihet dhe matet integrimi i shoqërisë. Vetëm nëpërmjet mirëkuptimit, respektit të ndërsjellë dhe një kulture respekti, diversiteti mund të jetë një avantazh, jo një dobësi, të bëhet një urë, jo një pengesë, të rritet në unitet, duke kapërcyer përçarjet”, deklaroi presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova.


Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në urimin e tij u bëri thirrje qytetarëve për më shumë unitet, paqe dhe harmoni, duke shtuar se vetëm së bashku mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë për të gjithë qytetarët.


“Kjo festë e shenjtë na rikujton rëndësinë e kujdesit për njëri-tjetrin, të ndarjes së mirësisë me familjen, fqinjët dhe të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje dhe ngrohtësi njerëzore. Kurban Bajrami është gjithashtu një thirrje për më shumë unitet, paqe dhe harmoni në shoqërinë tonë, duke forcuar besimin se vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët”, potencoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski dërgoi mesazh urimi, duke kujtuar se kjo festë paraqet vlera të solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë.


“Kurban Bajrami na kujton vlerat e solidaritetit, humanizmit, respektit të ndërsjellë dhe kujdesit për fqinjët tanë. Në frymën e festës, le të vazhdojmë të ndërtojmë së bashku një shoqëri mirëkuptimi, uniteti dhe respekti, ku diversiteti është forca jonë, dhe bashkimi është e ardhmja jonë. Ditët festive sjellin gëzim, ngrohtësi dhe shpresë, dhe dashuri, paqe dhe begati në çdo familje”, theksoi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.


Urime dërguan edhe krerët opozitarë. Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, në mesazhin e tij apeloi që në frymën e festës, të tregojmë mirëkuptim, respekt dhe më shumë kujdes për njëri-tjetrin. Ndërkaq, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, uroi që festat t’i kremtojmë gjithmonë së bashku, me zemër të hapur dhe me suksese të përbashkëta për të ardhmen tonë.