Krerët e Ballkanit i kërkojnë BE-së të njihet karta për udhëtime, Varhej: Po punojmë fort për Maqedoninë e Veriut

TË FUNDIT

Në Shqipëri është mbajtur sot samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen e Oliver Varhej, Komisionarin Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, si dhe Kryeministrave e rajonit. Kryeministri Rama priti herët në mëngjes Varhejin, por edhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, Kryeministren e Serbisë Bërnabiq, Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, si dhe Presidentin e Malit të Zi, Gjukanoviq. Në konferencën për shtyp Kryeministri Edi Rama dhe Komisionari Varhej folën për diskutimet që janë mbajtur në Samit. Kryeministri Rama zbuloi edhe kërkesën e vendeve të Ballkanit perëndimor për Bashkimin Evropian.

“Të gjitha vendet i kanë paraqitur Komisionit Evropian dhe BE kërkesën që karta e gjelbër dixhitale e qytetarit të një vendi të rajonit tonë, në aspektin tonë në aspektin e sigurisë shëndetësore të njihet në gjithë BE dhe edhe ne të lëvizim lirisht në BE’’, tha Rama.

Komisionari Europian për Zgjerimin, Varhej, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama foli edhe për atë që quhet “mini-shengeni ballkanik” dhe investimet e BE-së.

“Ne jemi të gatshëm që të ri konfirmojmë angazhimin dhe përkushtimin tonë që e kemi vënë në tryezë me planin ekonomik dhe të investimeve, një plan të cilin e kemi treguar që në vjeshtë që mobilizon 1/3 e bruto prodhimit të rajonit, pra pothuajse 30 miliardë euro në formë investimesh që do të vijnë në rajon. Por ky plan nuk ka për të funksionuar në rast se vetë rajoni nuk funksionon si një i tërë, në rast se ne nuk kemi një treg rajonal, nuk ka kuptim ndërtimi i autostradave në rast se të gjitha ato mjete të mëdha do të ndalojnë në pika të ndryshme kufitare”, tha Varhej.

Të pyetur nëse ngërçi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut do të penalizojë sërish Shqipërinë, komisionari Varhej u shpreh BE po punon fort për zgjidhjen e konfliktit, ndërsa shtoi se qershori do të jetë muaji i vendimeve.

“Ashtu siç e thashë, ky muaj është një muaj kritik. Është qershori i këtyre vendimeve, do duhet të merren këto vendime. Ne po punojmë vërtetë fort, edhe në këto momente, pas kuintave, sepse kjo është ajo periudhë e diplomacisë së heshtur që ne të gjejmë zgjidhje. Presidenca e BE-së është e angazhuar dhe e përkushtuar të gjejnë zgjidhje dhe kjo vlen edhe për KE-në, por është ende shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë. Ne jemi tërësisht të angazhuar dhe duam që kjo gjë të ndodhë”, shtoi më tej Varhej.

Nga ana e tij, kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria i ka bërë detyrat e integrimit dhe nuk ka më kontestim nga BE dhe vendet anëtare.

“Ne, e para, ka rëndësi që detyrat tona t’i bëjmë plotësisht. Ka një pyetje legjitime që deri kur vazhdon kjo histori, sepse e kemi parë se sa u zgjat një tjetër histori, Maqedonisë së djeshme, asaj të Veriut sot, me fqinjët në jug, po kësaj pyetje nuk po ja kërkojmë përgjigjen sot, të presim mbledhjen e Këshillit, të shikojmë a do të ketë ose jo zhvillime dhe më tutje, këtu jemi prap”, tha Rama.

Gjithashtu në këtë samit është vendosur edhe heqja e tarifave roaming për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Raporton: Nertil Agalliu, Tiranë

TË NGJAJSHME