Pranimi i propozimit francez do të tregohet si një hap shumë i mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, deklaroi Riçard Kremer, njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, nga Organizata Aleanca ShBA-Evropë në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën maqedonase. Lidhur me iniciativën e VMRO-DPMNE-së për mbajtjen e referendumit, thotë se nuk sheh asnjë problem që të organizohet referendum për çdo çështje të rëndësishme, por nënvizon se Maqedonia ka një Qeveri e cila është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe e cila është orientuar drejt anëtarësimit në BE.
“Ka pasur kompromise. Bullgaria duhej të bënte lëshime, po ashtu edhe Maqedonia e Veriut. Kështu bëhet përparim. Jo të gjithë janë gjithmonë të lumtur të bëjnë kompromis, por ky është thelbi i negociatave. Kundërshtimet për pranimin e propozimit francez janë për shkak të emocioneve të shtuara për momentin. Por në plan afatgjatë, mendoj se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut do ta vlerësojnë anëtarësimin në BE dhe NATO, që është një trajektore e natyrshme ku vendi po lëviz aktualisht”, tha Riçard Kremer.
Kremeri vlerëson se ka gjasa që deri në vitin 2030 Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të bëhen pjesë e BE-së, por shton se të dyja vendet duhet të punojnë në fushën e sundimit të së drejtës.
“Është e realizueshme. Ekziston përgjithësim se ka shqetësim për nivelin e korrupsionit në Shqipëri. Por, kryeministri shqiptar, Edi Rama tregoi se edhe pse nuk mund të eliminohet tërësisht, megjithatë ka përparim në këtë fushë. E njëjta gjë po ndodh edhe në Maqedoninë e Veriut. Sundimi i së drejtës, një Qeveri e përgjegjshme dhe transparente, organizimi i zgjedhjeve të drejta dhe të lira, do të ishin komponentët e dëshiruar në një vend demokratik. Kjo do të ishte frymëzuese edhe për vendet e tjera e rajonit që aspirojnë BE-në”, tha Kremer.
Por, VMRO-DPMNE-ja nuk tërhiqet nga paralajmërimet për organizimin e referendumit. Këmbëngul se nuk do të lejojë të ketë ndryshime kushtetuese. Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski shfrytëzoi fjalimin e djeshëm në festën e Ilindenit, për të rikujtuar se VMRO-DPMNE-ja mbetet në qëndrimin e saj se ndryshimet e Kushtetutës nuk do të kalojnë.
“Bëj thirrje publikisht që ta mbështesim referendumin. Të gjithë së bashku të bëjmë thirrje dhe t’i japim mundësi popullit që të sjellë vendim. Këtu dua të theksojë edhe njëherë populli të rrijë i qetë, pa marrë parasysh se çka do të shpikë ky pushtet si pengesë ose rezistencë ndaj referendumit, garancia, bllokada dhe ruajtja e Kushtetutës nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit janë fakt dhe kjo do të mbetet ashtu. S’ka ndryshim të Kushtetutës në këto rrethana, me asnjë kusht”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
VMRO-DPMNE-ja tani për tani ende nuk ka përcaktuar për çka do të jetë nisma për referendum, ndërsa nuk e ka definuar as pyetjen. Thonë se për këtë po zhvillohen konsultime intensive me ekspertë.
