28-vjeçari nga Juniku, që jeton në Gjermani, nuk kishte stërvitur prej 21 marsit, kur humbi nga gjermani Juergen Braehmer në luftë për titull të botës në kategorinë gjysmë të rëndë të versionit WBA.
Krasniqi ka pushuar disa javë dhe tani po mendon për sfida të reja. Thotë se është plot forcë e motiv. Ai në boksin profesionist ka 43 fitore e katër humbje. Ka humbur dy luftërat më të mëdha – ato për tituj të botës.
“Nisa stërvitjet, por lidhur me të ardhmen nuk ka ndonjë gjë të re. Nuk e di kur do të ngjitem në ring, por nuk kam dashur të pushoi shumë. Nuk dua të humb ndjenjën që më krijohet kur jam i përgatitur. Dua të ngrihem në nivel sa më të lartë të përgatitjes dhe besoj se shumë shpejt do të kem meç”, ka thënë Krasniqi për “Kohën Ditore”.
Ai pret që të takohet me menaxherin për të diskutuar për të ardhmen. Krasniqi aktualisht është boksieri më i mirë profesionist shqiptar, përcjell koha.net. Humbja e fundit ka bërë që junikasi të bjerë në renditje, por ai është i bindur se për një periudhë të shkurtër sërish do të arrijë te lufta për titull të botës.
“Menaxheri ka kërkuar të më shohë dhe do ta kuptojë se jam i gatshëm për të ardhmen dhe që kam harruar luftën e kaluar”, ka thënë Krasniqi.
