Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij para trupit gjykues, tha se ai “urren dhunën, vrasjen e torturat”, jo sepse ai ka qenë subjekt i dhunës, por sepse “i konsideroj të ulëta”.
“Kushdo që më njeh do t’iu thotë, se unë Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë”, tha ai.
Ai po ashtu tha se nuk e kupton logjikën e aktakuzës së ngritur ndaj tij, duke shtuar se “ndaj popullit tonë është nënshkruar dhunë sistematike”.
“Sapo përfundoi lufta regjimi komunist i Jugosllavisë imponoi administrimin ushtarak në Kosovë dhe pa proces gjyqësor ekzekutoi mijëra shqiptar. Gjendja vazhdoi deri në korrik të vitit 1945 kur Kuvendi i Prizrenit u vendos që Kosova t’i aneksohej Serbisë. Dua të theksoj se që në fëmijërinë time kam qenë i rrethuar me njerëz që i kanë mbijetuar gjenocidit të Serbisë, familjarët e të cilëve ishin vrarë, burgosur, u ishin shkatërruar shtëpitë dhe u ishin marrë pronat. Kur isha 5-6 vjeç në vitin 1956, regjimi komunist filloi një valë të re të dhunës. Babai im ishte viktimë e kësaj dhune. Më kujtohet që sot kur babai im u kthye në shtëpi i rrahur për vdekje dhe në një qoshe të shtëpisë nëna ime mundohej të ja lehtësonte dhimbjen e torturës njerëzore. Babai im ka qenë i përndjekur dhe ka përjetuar trauma të mëdha. Burgosja ime ishte shumë e vështirë për të”, tha mes tjerash Krasniqi.
