KQZ-ja e Kirgistanit, i shpalli të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura të dielën, më 4 tetor

TË FUNDIT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kirgistanit, sot i shpalli të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura të dielën, më 4 tetor.

“Për shkak të parregullsive të shumta gjatë votimit dhe në periudhën parazgjedhore, në mbledhjen e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u mor vendim për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare të pavlefshme”, thuhet në kumtesën e Komisionit.

Mbështetësit e disa partive, të cilat sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve nuk fituan vende në Kuvend, u mblodhën mbërmë në sheshin qendror të kryeqytetit Bishkek duke pretenduar se vota ishte e manipuluar.

Protestuesit sulmuan ndërtesat e Kuvendit dhe qeverisë pas disa orë përplasjesh me policinë dhe liruan ish-presidentin Almazbek Atambajev dhe kryeministrin Sapar Isakov.

Politikani i opozitës kirgistane dhe ish zyrtari i lartë i sigurisë Kursan Asanov është emëruar ministër në detyrë i Punëve të Brendshme dhe grupet e opozitës kanë kapur disa ndërtesa të tjera, duke përfshirë zyrën e kryetarit të Bishkek, dhe emëruar shefin e përkohshëm të sigurimit kombëtar, prokurorinë shtetëror dhe komandantin e kryeqytetit.