Nga 10 në 0 për qind parashihet ulje e tatimit personal në sektorin TI deri në vitin 2023, që do të nxisë të rinjtë që të fokusohen më shumë drejt këtij sektori ku ka mungesë të punëtorëve, njoftoi kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski tha se parashihen një sërë masash stimuluese në sektorin e TIK-ut, përveç uljes së tatimit personal nga 10 për qind aktualisht në 0 për qind, përjashtim nga tatimi për rikualifikim, trajnime, trajnime shtesë në kompanitë, përjashtim nga tatimi nga kostoja e licencës për industrinë TI.
“Mbështetja financiare e Qeverisë për kompanitë dhe startup-et premtuese në sektorin e TIK-ut do të vazhdojë dhe do të rritet. Çdo punë e re në këtë industri nënkupton pozitë të mirëpaguar, karrierë të sigurt dhe zhvillim të rinisë dhe në fund zhvillim të ekonomisë dhe rritje të standardit jetësor në vend”, tha kryeministri Kovaçevski.
Kryeministri shtoi se është i kënaqur me rezultatet e planit operativ për punësim me shfrytëzim mbi 92 për qind, që vërteton se paratë po investohen si duhet dhe se trajnimet për zhvillimin e aftësive digjitale kanë realizim 100 për qind, dhe vetëm falë kësaj mase 400 persona të papunësuar kanë fituar aftësi digjitale falë kësaj mase.
“Për shkak të efikasitetit dhe interesimit të madh vitin e kaluar, në vitin 2022 kemi krijuar Planin Operativ në vlerë prej 28 milionë euro. Është 230 milionë denarë më shumë se vitin e kaluar”, nënvizoi Kryeministri Kovaçevski.
Ndryshe sektori i TIK-ut në Maqedoninë e Veriut vitet e fundit shënon rritje të vazhdueshme lidhur me numrin e kompanive dhe të punësuarve, rritje të eksportit dhe të ardhurave.
