Thirrjen e kryetarit të opozitares VMRO-DPMNE për unitet nacional ndaj interesave shtetërore në negociatat me Bullgarinë, kryeministri Dimitar Kovaçevski e vlerësoi si e pasinqertë duke thënë se ky unitet po krijohet në Kuvend. Në lidhje me deklaratën për Goce Dellçevin që i është dorëzuar Kuvendit, ai tha se e njëjta është e njëanshme me çka nuk e ndihmon procesin negociues. Kovaçevski shtoi se VMRO-DPMNE-së i është dërguar ftesë për pjesëmarrje në grupet e punës së bashku me përfaqësues të qeverisë bullgare, por se prej atje e kanë refuzuar ftesën.
“Mendoj se aspak nuk është e sinqertë për shkak se VMRO-DPMNE në periudhën e kaluar vetëm bën histeri në lidhje me negociatat që po udhëhiqen me Republikën e Bullgarisë. Uniteti dhe përfaqësimi në shtetin tonë bëhen në Kuvend i cili është shtëpia e të gjithë qytetarëve të cilët i përfaqësojnë pikërisht deputetët, dhe nëse VMRO-DPMNE-ja mendon do të ndihmojë me deklarata të njëanshme me të cilat pengohet procesi i negociatave që udhëhiqen në frymën e vlerave evropiane dhe ruajtjes së dinjitetit të të gjithë qytetarëve, ata e bëjnë pikërisht të kundërtën”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Mickoski mbrëmë gjatë mbajtjes së fjalimit në lidhje me llogaridhënien e punës së kryetarëve të komunës në 100 ditët e para në pushtetin lokal, dërgoi kritika ndaj Bullgarisë për mohimin e historisë dhe identitetit maqedonas. Tha se është shumë i brengosur për shkak se nuk ka unitet në Kuvend për Goce Dellçevin dhe se kjo është tradhti e LSDM.
Për deklaratën e sotme të Kovaçevskit thotë se nuk është i befasuar, megjithatë thotë se dora e zgjatur e VMRO-DPMNE-së për bashkim mbetet.
“Nuk pres nga njerëzit që janë militantë të zaevizmit, politikë e cila është mposhtur ashpër në zgjedhjet e fundit lokale dy herë, të jenë racionalë dhe të ngrihen mbi këtë gjendje dhe të jenë në mbrojtjen e dinjitetit nacional dhe vlerat maqedonase. Unë e zgjata dorën time, jam në dispozicion, çdo herë kur duhet të sigurohet unitet”, tha Hristija Mickovski.
Dje edhe ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani, tha se negociatat me Bullgarinë duhet të udhëhiqen me “kokë të ftoftë” dhe të mos bëhet politikë në lidhje me bisedimet me Sofjen zyrtare.
