Kovaçevski: Të fokusohemi në të ardhmen/ Ballkani sipas shembullit të BE-së me kufij të hapur

TË FUNDIT

Forumin ekonomik këtë vit e pritëm me ngjarje për të cilat vlerësuam se do të jenë pjesë e historisë, por për fat të keq po përballemi me agresion ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski gjatë hapjes së forumit që u mbajt në Shkup. Theksoi se popujt që jetojnë në këto troje kanë kaluar konflikte, ndarje dhe vrasje, andaj të mësuar nga e kaluara duhet të fokusohemi në të ardhmen. Si shembull për progresin rajonal Kovaçevski përmendi nismën “Open Ballkan”.

“Shteti ynë, së bashku me Serbinë dhe Shqipërinë tashmë funksionojnë si një “mini” BE. Para pak kohësh Kuvendi ratifikoi zgjidhjet ligjore që dalin nga nisma Open Ballkan. Me këtë tashmë nuk ka kufij mes këtyre tre shteteve. Po i shohim përfitimet nga hapja e pikave të përbashkëta kufitare dhe çfarë përfitimi kanë qytetarët tanë të cilëve u lehtësohet lëvizja nëpër kufij. Në mënyrë shtesë me rëndësi shumë të madhe në shkëmbimin tregtar në rajon dhe me gjerë kanë korridoret e blerta.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Kovaçevski në margjinat e forumit zhvilloi takime edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ku mes tjerash folën për avancimin e paqes në rajon dhe për propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti theksoi se raportet me Serbinë mund të normalizohen vetëm me njohjen e ndërsjellë. Ai në forumin e sotëm tha se duhet bashkëpunim më i madh mes Maqedonisë dhe Kosovës sidomos për përmirësimin e mënyrës së kalimit të kufirit për qytetarët dhe për lidhjen e Tetovës me Prizrenin.
“Republika e Kosovës ka 4 linja dalëse dhe tre hyrje, Republika e Maqedonisë së Veriut ka dy linja dalëse dhe dy hyrje, që do të thotë se kur të dilni nga Kosova ka katër vendkalime, pastaj numri ulet në dy. Por mora konfirmim nga kryeministri Kovaçevski se edhe ai do që ta ndryshojë këtë për të pasur kalim më të shpejtë të automjeteve dhe udhëtarëve.”- tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq tha se e inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të gjejnë zgjidhje të përbashkët. Sa i përket rajonit, theksoi se në kufij duhet lëvizje më e madhe e njerëzve sipas shembullit të BE-së.
“Na duhet qasje më e madhe mes njerëzve. Nuk na duhen kufij siç i kemi tani. Nuk flasim për ndryshimin e kufijve, po flas se kufijtë duhet qenë më të përshtatshëm, siç janë në BE. Njerëzit nuk duhet të presin në kufij. Ne tani kemi marrëveshje për të kaluar me letërnjoftim, por hapi i radhës është që të kalojmë edhe pa letërnjoftim. Ky është hapi i radhës. Nëse duam që të shohim veten në familjen europiane, duhet të kemi sjellje europiane.”- pohoi Dritan Abazoviq, Kryeministër i Malit të Zi.

Kryeministri Kovaçevski në margjinat e forumit u takua edhe me Abazoviqin, ku u tha se Maqedonia dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie miqësore ndërsa folën edhe për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik në disa sektorë, shkëmbimin tregtar dhe pjesëmarrjen e përbashkët në tregje të treta.