Ish-kryeministri, kryetar i LSDM-së Dimitar Kovaçevski nuk deshi t’i komentojë ndodhitë turbulente brenda ASH-së. Ai vetëm përmendi takimin me Arben Taravarin, ndërsa me Ziadin Sela siç tha, nuk ka biseduar por vetëm janë takuar në Kuvend.
“Është e saktë se kishim takim me z. Taravari dhe siç njoftuam pas takimit, biseduam për relacionet brenda koalicionit, brenda qeverisë teknike për momentin dhe për atë që është realizuar gjatë vitit të kaluar derisa unë isha në krye të qeverisë ku gjatë gjysmës së mandatit kishte ministra edhe nga ASH. Sa i përket dinamikës së relacioneve brenda ASH-së, nuk do të komentoja për shkak se bëhet fjalë për një subjekt tjetër politik, këtu janë organet e tyre partiake, funksionarët e tyre janë ata që duhet t’i japin përgjigjet e duhura dhe të dalin me qëndrime”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.
Kovaçevski përsëri e thirri Taravarin që para zgjedhjeve t’i bashkëngjitet frontit për Maqedoninë europiane.
“Unë mendoj se partitë politike vendin e kanë në koalicionet që i ndajnë vlerat e njëjta, duke mos hyrë në atë se cili subjekt politik me kë bën koalicion. Ende vlen oferta e LSDM-së, që të gjitha partitë politike, organizatat joqeveritare dhe organizata të tjera dhe individë që e ndajnë vizionin për Maqedoninë europiane, të na bashkëngjiten në zgjedhjet më 24 prill dhe 8 maj”, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.
Nëse kjo do të ndikojë në qeverinë teknike ku marrin pjesë edhe ministra të ASH-së, zv/kryeministri për çështje europiane Bojan Mariçiq tha se nuk pret probleme.
“Ne jemi në komunikim me të gjitha partitë politike duke e përfshirë edhe ASH. Ata ende janë partneri ynë i koalicionit dhe ne besojmë se ASH do të gjejë forcë që me debat brenda partisë t’i sjellë vendimet e vërteta. Nuk po pres që qeveria teknike të dështojë dhe pres që e njëjta të mbetet deri në fund të mandatit përkatësisht deri në ditën e zgjedhjeve, ndërsa pastaj ka procedura të tjera, nuk pres që të ndodh kjo”, deklaroi Bojan Mariçiq, zv/kryeministër për Çështje Europiane.
Nga VMRO-DPMNE nuk deshën që t’i komentojnë ndodhitë në ASH. Thanë se këto janë çështje brendapartiake që ata vetë duhet t’i zgjidhin.
