Propozimi i Alternativës për Asociacionin e komunave shqiptare është ide joserioze dhe e papranueshme për shkak se në vendin tonë raportet ndëretnike janë rregulluar me Marrëveshjen e Ohrit ku janë nënshkruar edhe përfaqësues të BE-së dhe SHBA-ve, ndërsa në Kosovë në pyetje është një marrëveshje plotësisht tjetër. Kështu kryeministri Kovaçevski komentoi propozimin e Alternativës në të cilin thuhet se sipas shembullit të Kosovës edhe në Maqedoni duhet të formohet Asociacion i komunave shqiptare.
“Mendoj se propozimi i tillë nuk është europian e as amerikan. Kështu që ata që e komplotojnë mendoj se ose nuk janë të informuar ose nuk i kanë shqyrtuar mirë marrëveshjet që i zgjidhin çështjet e identitetit në Ballkan dhe do të duhet pak më shumë të fokusohen në mënyrën në të cilën janë zgjidhur problemet në Maqedoninë e Veriut ndërsa në cilën mënyrë do të zgjidhen problemet në Kosovë”, u shpreh Kovaçevski.
Propozimin, përveç partive të tjera e hodhi poshtë edhe ASH prej ku thonë se i njëjti është joserioz dhe ka për qëllim që shqiptarët të jenë temë e politikave ditore.
“Shqiptarët jetojnë në vazhdimësi territoriale dhe jo në enklava, në komuna ku shqiptarët janë shumicë absolute, në komuna me shumicë relative e në komuna me përqindje më të ulët. Organizimet politike dhe territoriale që nuk u shërbejnë atyre nuk meritojnë të diskutohen.
Shqiptarët në Maqedoni janë 1/3 e popullatës së përgjithshme dhe jo pakicë”, thanë nga ASH-ja.
Por Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa dje në deklaratë për TV21 tha se asociacion e komunave shqiptare nuk do të shkaktojë tensione ndëretnike siç pohohet, por se do të ndihmonte për zhvillimin e komunave ku shumica është bashkësia shqiptare.
“Një asociacion i komunave shqiptare vetëm se do të ndihmonte zhvillimin e komunave shqiptare. Ne e dimë mirëfilli se ka plot komuna shqiptare që gati janë pa resurse zhvillimore siç është komuna e Likovës, Haraçinës, Studeniçanit po edhe të tjera që mezi arrijnë të mbijetojnë”, tha Ibrahimi.
Propozimi njëkohësisht e hodhën poshtë BDI, VMRO-DPMNE dhe LSDM, ndërsa kundër tij u prononcua edhe ish bashkpartiaku i tyre Skender Rexhepi i cili propozimin e quajti i rrezikshëm për stabilitetin e shtetit.
