Kryeministri Dimitar Kovaçevski mohoi të ketë pasur ndonjë takim me ish kryeministrin Zoran Zaev për krijimin e situatave lehtësuese për kthimin e Nikolla Gruevskit në vend. Megjithatë ai theksoi se Gruevski kërkohet me fletë arrest ndërkombëtar dhe kthimi i tij patjetër duhet të ndodhë.
“Ai duhet të kthehet, megjithatë duhet të kthehet që të ballafaqohet me drejtësinë në pajtim me ligjet e vendit dhe sipas asaj që është vendosur nga ana e organeve të drejtësisë. Për këtë shkak konsideroj se të gjitha këto tema janë interesante për tu dëgjuar dhe lexuar, por nuk ka bazë për qenë debat real politik në vend”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Por, duke marrë parasysh se me Kodin e ri Penal, shumica e lëndëve të Gruevskit kanë filluar të vjetërsohen Kovaçevski nuk deshi të komentojë.
“Unë nuk mund të interpretoj vepra të askujt e as vendime gjyqësore, për këtë do të duhet të drejtoheni në Prokurori”, shtoi kryeministri.
Sipas Kodit të ri Penal Talir 2, Trajektorja, TNT, Titanik, prokurimi i Mercedesit, Dhuna në Komunën Qendër janë disa nga lëndët prej të cilave Gruevski do të shpëtojë. Sa i përket ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend, Gruevski do të akuzohet kur të arrestohet, por në rast se vendoset të vlejë falja e ish kryetarit Gjorge Ivanov ai shpëton edhe nga kjo vepër. Veprat e vetme eventuale për të cilat Gruevski duhet të përgjigjet mbesin Talir 1 për larje parash dhe blerja e pronave në Vodno.
