Kovaçevski: Qeveria në 100 ditët e para i ka përballuar mirë sfidat e krizës ekonomike

TË FUNDIT

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se qeveria e tij ka më shumë legjitimitet se ajo e mëparshmja e Zoran Zaevit, sepse siç thotë ka më shumë mbështetje në parlament dhe se në 100 ditët e para i ka përballuar mirë sfidat e krizës ekonomike botërore. Shtoi se ekipi i tij ka legjitimitet të plotë politik dhe juridik, si dhe një program të harmonizuar dhe transparent sipas të cilit funksionon. Mesazhe të tilla Kovaçevski i dërgoi në kohën kur VMRO-DPMNE vendosi të bllokojë Kuvendin nga 10 maji derisa të ulen në tryezë me kryeministrin dhe të merren vesh për zgjedhje të parakohshme. Në lidhje më këtë ai tha se VMRO-DPMNE ende merr urdhra nga Gruevski.

 “Ne kemi një qeveri e orientuar drejt Evropës dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë partnerët strategjikë. Muajin e ardhshëm do të hapim një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara, takimet tashmë janë duke u dakorduar dhe do të zhvillohen në Uashington dhe kemi një qeveri që është përballur shkëlqyeshëm në 100 ditët e para me të gjitha sfidat e krizës ekonomike globale të shkaktuar së pari nga kriza energjitike dhe më tej nga lufta në Ukrainë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.