Kovaçevski: Me Xhaferin nuk e shkelim ligjin! Nga VMRO-DPMNE thonë se është më mirë që të jenë pjesë e qeverisë teknike

TË FUNDIT

Kryeministri Dimitar Kovaçevski pohon se nuk ka shkelje të Ligjit për Qeveri kur Talat Xhaferi nga BDI-ja do ta udhëheq Qeverinë teknike, e jo përfaqësues i LSDM-së si partia më e madhe në pushtet. Ai këtë e shpjegoi se mandati për formimin e Qeverisë së re i jepet koalicionit qeveritar. I pyetur për atë se çka do të ndodh nëse VMRO-DPMNE sjell vendim të mos marrë pjesë, për shkak se Ligji për Qeveri teknike nuk parasheh situatë të tillë, përsëriti se ky është obligim i cili pritet të respektohet.

“Së pari, nuk shkelet ligji për shkak se edhe sot edhe koalicioni paraprak qeverisës dhe nëse e shikoni mandatin që e jep presidenti i shteti, ai mandatin ia jep koalicionit që ka më së paku 61 deputet në Kuvend. Në lidhje me Qeverinë teknike, qeveria teknike është obligim ligjor njëjtë siç është për mua obligim ligjor që 100 ditë para zgjedhjeve të japë dorëheqje, me çka faktikisht e gjithë Qeveria jep dorëheqje, obligim i gjithë partive politike është që të marrin pjesë në Qeverinë e cila duhet në nivel teknik të zbatojë zgjedhjet”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Tani për tani nga VMRO-DPMNE ende nuk kanë marrë vendim nëse do të marrin pjesë në qeverinë kalimtare, megjithatë nga partia thonë se këto ditë do të qartësohet kjo pasi mblidhen dy organet më të mëdha të partisë, Komiteti ekzekutiv dhe ai qendror. Antonio Milloshoski në intervistën e djeshme për Sitel tha se është më mirë që të bëhen pjesë e qeverisë të cilën do ta udhëheqë Talat Xhaferi që të mund ta kontrollojnë procesin.

“Mendoj se kur qeverinë e udhëheq njeri siç është Talat Xhaferi i cili në Kuvend shumë herë e shkeli Rregulloren, i cili nuk e plotëson vendin për anëtar në KSHZ-në që i përket opozitës ndërsa me muaj të tërë e prolongon këtë konkurs duke mos e vendosur në rendin e ditës, atëherë ai që do të kishte  qëllim që të mos marrë pjesë në një qeveri të këtillë për organizimin e zgjedhjeve, mund t’i japë vetëm mundësi më të madhe Talat Xhaferit, Artan Grubit, Oliver Spasovskit për të bërë mashtrime shtesë”, pohoi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Nga partitë opozitare shqiptare thonë se nëse VMRO-DPMNE vendosë që të mos merr pjesë në qeverinë teknike, ata presin që të marrin ftesë. Izet Mexhiti në deklaratë për TV21 thotë se janë të gatshëm që ta marrin këtë përgjegjësi.

“Nëse VMRO nuk do që të marrë pjesë, opozita shqiptare dmth pranon dhe do të votojë qeverinë teknike, mendojmë se edhe kësaj radhe është e duhur qeveria teknike, posaçërisht pasi që në të kaluarën ka qenë problem pjesa e regjimit të Gruevskit, tani më është problem mbetja e këtij regjimi. Ne nuk e kemi problem që të marrim përgjegjësinë dhe fillimisht pra në funksion të organizimit të zgjedhjeve fer dhe demokratike”, tha Mexhiti

Përndryshe grupi punues pranë Ministrisë së Drejtësisë po i përgatiti ndryshimet e Kodit Zgjedhor ku janë futur rekomandimet e OSBE/ODIHR-së, gjë që ishte pjesë e marrëveshjes së takimit të liderëve.